Këshilli i Ministrave ka miratuar rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë të personave të diagnostikuar me COVID-19. Bëhet e ditur se forma e rimbursimit të paketës përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Kështu vlera e rimbursimit për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 16 mijë e 50 lekë të vjetra. Ndërsa vlera e rimbursimit për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 109 mijë lekë të vjetra.
Por si mund ta përfitoni rimbursimin?
Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar.
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.