
Jane zbuluar detaje të reja për provat sekrete të Prokurorisë. Detajet vijnë nga mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve, ku u diskutua mbi imunitetin e deputetit Saimir Tahiri.
Prokurorët kanë paraqitur dëshminë e një oficereje të Policisë së Vlorës, mikeshë e Moisi Habilajt, i arrestuar në Itali si kreu i bandës së drogës. Burimet nga mbledhja e Këshillit të Mandateve thonë se prokurorët kanë deklaruar se në kuadër të provave të cilësuara si sekret ia paraqesin Këishillit.
“Kemi dëshminë e një oficereje policie në Vlorë. Oficerja e policisë është mikeshë e ngushtë Moisi Habilajt. Oficerja ka dëshmuar se ‘Moisiu i ka pohuar se ka kushëri Tahirin’”, thanë ata.
Prokurorët kanë këmbëngulur se kjo është një tjetër provë që lidh Tahirin me Habilajn. Ata po ashtu i thanë Këshillit të Mandateve se oficerja e policisë në Komisariatin e Vlorës është marrë në mbrojtje dhe ndodhet në një vend të sigurt.
Burimet nuk japin detaje se kur është administruar kjo dëshmi dhe nëse është marrë prej prokurorëve të Krimeve të Rënda apo drejtësia italiane. Burimet nga mbledhja e Këshillit të Mandateve pohuan se edhe kjo provë e re e paraqitur nga prokurorët e Krimeve të Rënda nuk ka qenë bindëse për anëtarët socialistë të këtij këshilli, pasi nu përbën asnjë lidhje të drejtpërdrejtë mes ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe Moisi Habilajt. /shqiptarja.com/
(Fotoja e polices qe shoqeron shkrimin eshte ilustruese)