Deklaratë e përbashkët e Prokurorisë dhe Policisë së Vlorës
Nisur nga transmetimi në TV Top Channel i një reportazhi, ku flitet për rreth 80 persona të zhdukur në vitet e fundit, një numër i cituar edhe nga foltorja e PD-së ditën e djeshme, Prokuroria dhe Policia e Vlorës sqarojnë opinionin publik se:
Në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23.
• në 2016 – 4 shtetas të larguar
• në 2017 – 6 shtetas të larguar
• ne 2018 – 13 shtetas të larguar
Shumë prej këtyre personave janë larguar me dëshirë nga banesa, por dhe janë rikthyer.
Megjithëse të gjitha rastet janë referuar në Prokurori, vetëm për 4 raste në 3 vitet e fundit janë konstatuar elementë të veprës penale dhe janë regjistruar në Prokurori si çështje, e ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre.
Gjithashtu, përsa i përket veprave penale kundër personit, bëjmë me dije se në krahasim me 1 vit më parë ka ulje të ndjeshme, konkretisht:
Nga 12 vrasje të evidentuara në vitin 2017, numri i tyre ka rënë me 50%, ose në 6 vrasje në 2018.
Nga 10 vrasje të mbetura në tentativë në 2017, është ulur me 50% numri në 2018, pra janë 5 tentativa të evidentuara.
Të gjitha strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e agjenci të tjera ligj zbatuese, vijojnë punën intensive për goditjen e paligjshmërive me qëllim ruajten e parametrave të rendit dhe të sigurisë e në shërbim të qytetarëve.