Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, prej ditës së djeshme ka nisur verifikimet pas deklaratës për median A2News të prokurorit Arjan Ndoja, se dosjet e gjetura në makinën e tij pas atentatit, janë të studios së tij ligjore, një fakt ky që nëse vërtetohet përbën shkelje të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (pra që prokurori të ketë edhe studio ligjore). Në një reagim për mediat, prokuroria e Përgjithshme i përgjigjet kërkesës që Këshilli i Lartë i Prokurorisë i nisi sot Markut për të nisur hetimet, reagim që në fakt zbulon se verifikimet ndaj Ndojës, Prokuroria e Përgjithshme i ka nisur që ditën e djeshme.
“Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku prej ditës së djeshme dt 05.11.2019 ka filluar verifikimin e fakteve të bëra publike në rastin e prokurorit Arjan Ndoja. Verifikimet konsistojnë në mbledhjen e të dhënave për shkeljen e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit, parashikuar në nenin 103 shkronja “a” të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.
Më herët, ditën e sotme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkoi Prokurores ë Përgjithshme, Arta Marku të nisë hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, për faktin që ky i fundit, i plagosur në atentat 5 ditë më parë, i cili deklaroi dje në media se drejton edhe një studio ligjore ku ofron konsulencë për cështje të ndryshme. Kjo bie ndesh me ligjin – thotë kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, duke ju referuar ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Në kushtet kur ende nuk është krijuar Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë që do të merret me hetimet ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, hetimin disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, e ka në dorë Prokuroria e Përgjithshme.