Në alsionin që u zhvillua dje në Tiranë dhe Elbasan, gjatë të cilit u e.kzekutuan urdhërarreste për disa ngjarje të vjetra, v.rasje, p.lagosje e pengmarrje, pati edhe disa arrestime për korrupsion.
Mes të arrestuarve ishte edhe një anëtare e AMA-s, Suela Musta, e cila u shoqërua në të gdhirë nga Forcat Speciale në banesën e saj në kryeqytet, duke u terrorizuar nga një ndërhyrje që nuk e priste.
Zyrtarisht u tha se ajo akuzohet për korrupsion, por pa u sqaruar asgjë se për çfarë bëhej fjalë dhe në çfarë rrethanash e kishte shkelur ligjin Musta. Burimet ishin kontradiktore. Fillimisht thanë se ajo, bashkë me disa zyrtarë të tjerë, kishte ndërhyrë për të pajisur me një licencë kabllori anëtarët e familjes Çapja.
Licencë që në fakt rezulton të jetë dhënë në vitin 2013. Por për të miratuar pajisjen me një licencë kabllori, nevojiten votat e 5 anëtarëve të AMA-s, nga 7 që janë gjithsej. E në këtë formë ishte disi e paqartë se si një anëtare e Autoritetit të Mediave Audiovizive mund të ketë vepruar e vetme në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, burimet thanë se nuk bëhej fjalë për dhënie licence, por për heqjen e një gjobe. Ata sqaruan se rreth një javë më parë, Çapjat kishin marrë një gjobë nga AMA për kabllorin që kishin në administrim. Sipas tyre, Suela Musta dyshohet se ka ndërhyrë, bashkë me persona të tjerë, për heqjen e kësaj gjobe.
Megjithatë, deri tani ende nuk është sqaruar asgjë në lidhje me arrestimin e saj. E aq më tepër, në të gjithë operacionin dukej disi e panevojshme “shfaqja” me Forca Speciale, që terrorizuan në orën 6 të mëngjesit një femër, duke e marrë nga shtëpia të prangosur, në zbatim të një urdhërarresti, që për më tepër nuk sqarohet konkretisht se çfarë shkelje ka kryer.