“Po vuajmë presionin e rezultateve”, barazimi me Laçin, flet Plori: Sot pashë “xixa” te skuadra…

Vllaznia vijon “agjërimin” në Abissnet Superiore, pasi nuk njeh fitoren që prej 3 marsit ndaj Dinamos, teksa këtë herë nuk shkoi përtej barazimit pa gola ndaj Laçit. Trajneri Elvis Plori deklaroi se skuadra po vuan presionin e rezultateve dhe kjo bën që të gabojë në finalizim apo pasimin e fundit.

“Të them të drejtën ishte një ndeshje e vështirë në çdo aspekt, kundrejt një skuadre me elementë cilësorë në përbërje, pavarësisht rezultateve në javët e fundit. E vlerësuam mirë dhe pashë një shkëndijë te skuadra, pasi sidomos më sulm, presuam më shumë dhe provuam diçka më tepër, por na mungoi shpejtësia e veprimeve, sidomos në finalizim.


Në ndeshje të tilla, kur ke disa raste dhe nuk finalizon, është e pamundur të fitosh. Në këto takime nuk mund të krijosh shumë raste, por ato 2-3 duhen shfrytëzuar për të shënuar. Si Aralica, ashtu edhe Latifi mund të bënim më mirë si në pasimin e fundit, ashtu edhe finalizim.

Këto rezultate negative janë për shkak të performancës jo në nivelin e duhur. Kjo ka bërë që skuadra të jetë nën presion dhe kjo ka ndikuar në ecurinë e ekipit. Nuk ka probleme të tjera, por edhe lodhja ka bërë pjesën e vet, pasi edhe sot në minutat e fundit ra disi rezistenca e lojtarëve. Bëmë ndërrime, por edhe përshtatja e atyre që vijnë nga stoli është e vështirë.

Dolëm disa herë në superioritet numerik, por nuk bëmë pasimin në kohën dhe vendin e duhur. Kemi një grup lojtarësh që ka punuar mirë me atë sistem loje dhe do të reagojmë shumë shpejt”, u shpreh Plori.