Unë nuk kam kenë ndër 300 guximtarët e parë të 4 nëntorit 1990. E pra, edhe unë, siç kanë ba të tjerë përgjatë ketyne 31 viteve, mund të kisha thanë se isha në mes tyne. Ngjarja përcillej nën zâ ato ditë, por me aq shumë detaje, saqë na dukej shumë prej nesh 17- 18 vjeçarëve, se edhe ne kemi kenë në Kapelën e Rrmajit me 4 nëntor 1990.
Por me 11 nëntor, 1 javë me pas, siç ka kenë thuajse tan Shkodra, katolikë, myslimanë, ortodoksë, ateistë, komunistë, demokratë të ardhshëm, socialistë të ardhshëm, sigurimsa, SHIK- sa të ardhshëm, besimtarë të devotshëm edhe gjatë 23 viteve “ateizëm zyrtar”, njerëz që e njihnin Zotin vetëm përmes filmave të RAI- t ose përbetimeve që ne i banim instiktivisht “për Zotin”, isha edhe unë.
Nuk kam kenë ndër organizatorët, as ndër të rëndësishmit, as shumë afër Kapelës, biles me shumë vështirësi e frike u futa në oborrin e vorreve të Rrmajit. Ishte frika e shënimit të emrave, hakmarrjes së shtetit, fotografimit e filmimit për t’ u “futë në listë” më vonë.
Atëherë, si më pas edhe në mitingjet e para të PD- së, 2 prillin 1991 e me radhë, unë si mijëra të tjerë, isha pjesë, pasi frika kishte nis të vritej me 4 nëntor dhe vdiq përfundimisht me 11 nëntor 1990.
Është dita e rikthimit të besimit tek shqiptarët por më shumë është protesta e parë masive kundër komunizmit, 11 nëntor 1990, kur Zoti i tregoi shqiptarëve që komunizmi kishte marre rrokullimën. Në 1944- in, komunizmi nisi ringritjen duke martirizuar shërbëtoret e Zotit, ndërsa në 1990- ën triumfi i lirisë nisi pikërisht në të njëjtën rrugë, por tashmë me krah të kundërt! /Nga Blerti DELIJA, publikuar me 4 nëntor 2015/