Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, ka përcjellë mesazhin e saj për ndarjen nga jeta të kirurges shkodrane Zyliha Kraja. Në një shënim në faqen e saj zyrtare në Facebook, Ademi vlerëson kontributin e Doktoreshë Zylit, siç e quan ajo në afrimitet, si përfaqësuese brezit të artë të mjekëve shkodranë. Humbja e madhe edhe për Shkodrën, e konsideron Voltana Ademi ndarjen nga jeta të Zyliha Krajës.
POSTIMI I PLOTË I VOLTANA ADEMIT
LAMTUMIRË DOKTORESHË ZYLI!
Lamtumira e fundit Doktoreshë Zylit, kirurges me zemër të madhe dhe përkushtim të rrallë. Përfaqësuese e brezit të artë të mjekëve shkodranë, që në kushte aspak të lehta, shëruan pacientët e tyre pikë së pari me humanizmin e tyre dhe më pas me profesionalizimin e përkushtimin e spikatur.
Doktoreshë Zyli i shërbeu pacientëve deri në ditët e fundit të jetës, edhe pse kishte shumë vite që kishte mbushur moshën e pensionit.
Një humbje e madhe për bashkëshortin e saj, dramaturgun e përmasave ndërkombëtare Fadil Kraja, familjen e saj, kolegët, miqtë, Shkodrën dhe të gjithë ata, që falë Doktoreshë Zylit dhe punës së saj, janë sot shendetplotë.
Pushofsh në paqe Doktoreshë Zyli! Do të na mungosh të gjithëve!