Partia Demokratike ka nisur tashmë punën pë reformën administrative- territoriale. Në selinë blu është mbledhur një grup pune, i cili ka përcakyuar edhe parimet mbi të cilat do të nisë puna. La qenë ish- kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi që ka publikuar një foto të grupit të punës në selinë blu.
Përveç Ademit, prania e të cilës është e natyrshmë për shkak të eksperiencës së akumuluar në qeverisjen vendore me ndarjen territoriale- administrative, duket se PD i ka “besuar” edhe ish- kryebashkiakëve të tjerë të Shkodrës si Lorenc Luka dhe Ormir Rusi. Në publikimin e saj që shoqëron foton, ish- kryebashkiakja Ademi jep detaje lidhur me takimin në selinë e Partisë Demokratike:
”Partia Demokratike eshte e vendosur për një reformë administrative-territoriale efikase, në interesin më të mirë të qytetarëve, garantimin e shërbimeve jetike që qeverisja vendore duhet të ofrojë.
Me këtë synim, me kolegët në Partinë Demokratike shkëmbyem opinione, analiza e mendime mbi zbatimin e reformës administrative territoriale gjate tetë viteve të fundit, mbi sfidat e përfaqësimit real të munguar ne nivelin vendor, mbi pabarazitë e zhvillimit dhe investimeve në territor, mbi nevojën e restaurimit e thellimit të decentralizimit te vërtetë lokal e rajonal në Shqipëri.
Në grup pune po punojmë me përgjegjësi për alternativën më të mirë për qeverisjen lokale e rajonale, në shërbim të qytetarëve, funksionale e me kompetenca, për përfaqësim dhe fuqi vendimarrëse e zhvilluese të vërtetë.
Eksperienca e akumuluar në këto vite, na jep mundësinë të evidentojmë problematikat dhe të sugjerojmë zgjidhjet më të mira të mundshme. Sapo ka nisur një proces, i cili duhet të sigurojë një qeverisje më të mirë, me qytetaret dhe për qytetaret!”, shkruan Voltana Ademi.