Aeroporti i Rinasit ka kaluar 100 përqind në pronësi të Kastrati Group. Marrëveshja 71 milionë euroshe është pasqyruar tashmë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke shënuar largimin e grupit kinez.
Koncesioni i aeroportit të vetëm në vend, atij të Rinasit, i kalon zyrtarisht “Kastrati Group”. Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, transaksioni është realizuar për 100 përqind të aksioneve.
Shitja është bërë nga Real Fortress Private Limited”, në pronësi të grupit kinez të shërbimeve financiare “China Everbright”.
Sipas dokumenteve kjo marrëveshje është nënshkruar më 1 dhjetor 2020 kundrejt një pagese 71 milionë euro përmes dy kësteve dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit 17 ditë më pas.
Kastrati ka ushtruar kryesisht aktivitetin në fushën e tregtimit me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, por që vitet e fundit ka shtrirë aktivitetin në sektorin e sigurimeve, ndërtimit, turizmit dhe tashmë në transportin ajror.
Në prill të vitit 2016 grupi kinez “China Everbright” njoftoi se kishte nënshkruar blerjen me 82.25 milionë euro të Tirana international aeroport.
Koncesioni i është dhënë fillimisht filialit “Real Fortress Private Limited”, një kompani offshore me seli në Singapor në vitin 2004 me një afat 20 vjeçar.