Nga Florian BJANKU
Përtej dilemave për kë do të votojnë shqiptarët kanë edhe problemin se si do të votojnë në një sistem të ndryshuar (gjoja të hapur) që nuk e dinë ta spjegojnë as vetë ata që garojnë.
Situata bëhet akoma më problematike, pasi modeli i fletës së votimit akoma nuk është miratuar nga KQZ, mgjths kanë mbetur pak më shumë se një muaj nga zgjedhjet. Për ta ngatërruar edhe më tepër këtë çështje kanë menduar vetë kandidatët e partive politike, të zyrtarizuar ditët e fundit, që kanë shpejtuar të shpalosin për publikun numrin e tyre që do të kenë në fletën e votimit, megjithëse nuk dihet akoma numri që do të ketë subjekti politik.
I gjithë ky çorganizim i organizuar që me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, rrezikon të shkaktojë një numër shumë të madh të fletëve të votimit të pavlefshme, apo devijim të vullnetit të votuesve, të cilët psh. në vend që t’i japin votën nr.3, Kiços të PD, ja japin nr.3, Miços të P.S.
Ndërkohë që me shumë gjasa sipas modelit të fletës së votimit që do të miratohet nga KQZ, vota për individin është e pavlefshme nëse nuk shoqërohet me votë për partinë që përfaqëson kandidati.
Fakti që nuk dihet akoma se si do të jetë fleta e votimit e bën të vështirë për kandidatët që për një muaj t’i shpjegojnë qytetarëve se si duhet votuar. Nga ana tjetër janë vetë këto kandidatë që e kanë të vështirë për vehte të kuptojnë si do të funksionojë me votën preferenciale, herësin, numërimin, rradhitjen dhe kapërcimin e renditjes fillestare.
Nëse asnjë kandidat nuk e thyen herësin, situata është e thjeshtë, pasi lista qëndron në renditjen që ka rigjistruar subjekti në KQZ, pavarësisht numrit të votave personale preferenciale për kandidatin që edhe në këtë rast do t’i duhen për ruajtur fytyrën brenda partisë.
Për efekt të “votës preferenciale”, pas përfundimit të votimit dhe numërimit, e gjithe lista ri-renditet sipas numrit të votave personale të fituara. Kandidati që ka superuar heresin (mund të shkojë diku 8000-10000 vota) zëvendëson kandidatin me numrin me të vogel të votave, nga kandidatët që të renditur në listën fituese. Nëse ky bie nga gjinia më pak e përfaqësuar (dmth grua), kalohet te kandidati tjetër.
Në pamje të parë, duket se listat janë të hapura. Por në fakt kalimi i pragut të herësit në mos i pamundur, duket i vështirë të ndodhë. I gjithë ky sistem i ngatërruar mund të shkaktojë që votat e pavlefshme të jenë mbi normalen (rreth 5%). Mendoj se pavlefshmëria e votave mund të dyfishohet.
Gjithashtu, rezultati i votimeve do të vonojë shumë, pasi në fillim do numërohen votat e partive, pastaj do numerohen votat për secilin kandidat. Pra, një serial që nuk dihet si do të përfundojë dhe kur do të përfundoje. Në fund me siguri sistemi elektoral do të dalë përsëri i dështuar, i cili do të kërkonte fillimim e një reforme të re zgjedhore…