E kam parë disa herë atë spot, në qendër të të cilit është i madhi Robert Ndrenika dhe vetëm në fund, me një fytyrë gati të lumturuar e triumfatore, shfaqet Edi Rama. Çdo herë mendja më shkon tek ata mijëra shqiptarë që janë të dënuar të jetojnë në këtë vend në kushtet e një mbijetese të frikshme, në dyshim edhe për bukën e gojës. Nuk po flas për ata që kanë patur fatin të kenë darkën për familjen e tyre, as për ata që mendojnë se prej 8 vitesh, parajsa tokësore ka emrin Shqipëri. Po flas për ata shqiptarë që ndoshta kanë një televizor dhe shohin ti përsëritet i njëjti mesazh, disa herë në ditë, i një aktori e artisti të madh si Robert Ndrenika.
Sigurisht, ata dhe askush nuk ka të drejtë të fajësojnë artistin e madh për sherbimin që po i bën me apo pa dëshirë, nga halli apo nga qejfi një politikani, një kryeministri që kërkon mandat të tretë. Që e kërkon edhe pasi INSTAT, institucion nën varësinë e tij, deklaron se në më pak se 8 vite janë larguar nga ky vend 610 mijë persona, por “nuk është ndonjë hata e madhe”.
Për të gjithë ne që kemi arritur të përceptojmë kinematografinë dhe artin skenik shqiptar të para 1990- ës, Ndrenika dhe të gjithë të tjerët, janë simbole, pse jo idhuj. Unë vazhdoj ti ndjek filmat e krijimet skenike të tyre, pavarësisht se ngarkesa politike e tyre duhet hedhur në një anë, duke u përqendruar më shumë tek aktrimi dhe nostalgjia. Nuk kam qenë dakort që këto filma të censurohen, të digjen pelikulat apo edhe të rimontohen, siç është thënë. Pavarësisht dëshirës së secilit nga ne, Shqipëria e asaj kohe, me të gjitha të këqijat e mundshme, ka ekzistuar. Edhe kinematografia dhe arti, aktorët e artistët, janë detytuar ti përshtaten klisheve. Pak syresh që “dolën nga rreshti”, nga skena e shesh xhirimi përfunduan në fabrika tullash, galeri minierash apo më keq akoma, në internime, burgje e nën dhe.
Arti i para 1990- ës, artistët e të gjitha zhanreve, ishin instrumente në dorën e diktaturës për “të edukuar” masat, për ti indoktrinuar dhe për të lehtësuar mbajtjen e tyre nën kontroll nga sistemi komunist. Këtij roli, nuk i ka shpëtuar askush, as edhe Robert Ndrenika. Sepse nuk kishte rrugë tjetër.
Është fatkeqësi ta pohosh, por sot pas mëse 30 viteve, Robert Ndrenika i rikthehet sërish të njëjtit rol. Mbase jo nën trysninë e diktaturës por nën ndonjë “trysni” të një lloji tjetër. Nuk guxoj të aludoj apo të shkoj përtej për një ikonë gati 80 vjeçare, të cilën fatmirësisht e kemi akoma mes nesh. Jam rritur me artin e tij dhe akoma e ndjek. Por nuk arrij të kuptoj se si një ikonë e tillë, mund të vendosë imazhin e tij në sherbim të një poltitikani, qoftë ai edhe kryeministër i një vendi. Çdokund një kryeministër do ta kishte për nder të shkrepte një foto me në krah një aktor të përmasave të Ndrenikës së madh.
“Nevoja nuk ka gjyq”, është një shprehje në Shkodër. E ndoshta vlen edhe për rastin e Ndrenikës. Si çdo frymor tjetër, ai ka nevoja të përditshme, të cilat kanë një kosto e mbase aktori i madh nuk e përballon dot. Por sigurisht, nuk mendoj se aktori i madh ka probleme mbijetese, të sigurimit të ushqimit apo strehimit. Mbase peshe e ndonjë sëmundje të moshës, nuk përballohet nga të ardhurat si ish- aktor tanimë në pension apo ndonjë e ardhur tjetër për shkak të titujve të lartë që ka merituar. Nëse i ka, kërkoj ndjesë dhe duhet menjëherë që këto radhë të shuhen me një “delete”.
Robert Ndrenika i madh vazhdon të jetë shembull, imazh me ndikim jo të vogël në shoqërinë tonë. Pikërisht për këtë është zgjedhur për propagandën qeveritare. Ata që dinë “të lexojnë” zërin dhe imazhin që shfaqet në spot, e kuptojnë lehtësisht se aktori e lexon gati- gati me imponim tekstin, të cilin nuk e ka të njëjtë me titrimin. Imazhi i tij është i lodhur, nuk përcjell optimizëm, ashtu siç shihet në portretin e kryeministrit Rama në sekondat e fundit. Nuk është çudi që Ndrenika e ka lexuar vetëm një herë tekstin, vetëm një dubël dhe ka ikur në punë të vet. E për ta përmbledhur, edhe vetë Ndrenika duket se nuk beson në rreshtat që ka lexuar në atë spot.
Këto ditë, në Shkodër por besoj edhe në të gjithë Shqipërinë, kanë nisur të qarkullojnë “tarifat” e votave. Nuk po flitet më për “thasë mielli” në këmbim të votës, po flitet për “vota me shumicë, vota me pakicë”. Një familje me 6 antarë, mund të përfitojë 500 euro ndërsa në zona të veçanta, ajo arrin nga 150- 250 euro “copa”. Dhe fushata elektorale ka vetëm pak orë që ka nisur. Këto rreshta janë për ata që luftojnë çdo ditë për “bukën e gojës”…ndoshta edhe për Robert Ndrenikën. Edhe pse “heshtja është kapak floriri” në këto raste. /Nga Blerti DELIJA/