Pas zyrtarizimit final të listave nga KQZ- ja, tashmë ka nisur gati zyrtarisht fushata për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ndryshe nga vitete e kaluara, të paktën deri tani, fushata në nivel qarqesh është përqendruar tek numrat. E këtë herë, nuk bëhet fjalë për numra nga 1 deri në 13, sa është numri i subkjekteve në listën e votimit të miratuar pak orë më parë nga KQZ- ja. Këtë herë, hapja e listave dhe mundësia teorike për të qenë fitues pavarësisht listimit të depozituar në KQZ nga çdo parti, ka rritur aktivitetin për të ashtëquajturën votë “parapëlqyese”.
Për ta kontretizuar dhe kuptuar nga të gjithë. Nëse një X parti në Qarkun e Shkodrës ka marrë 50 mijë vota dhe përmes tyre, janë siguruar 5 mandate deputeti, mesatarja e votave të kësaj partie është 50000 : 5 = 10000 vota. Kështu, 5 vendet e para të listës së depozituar në KQZ, janë automatikisht deputetë. Por, sivjet gjërat kanë ndryshuar. Nëse njëri nga kandidatët, e rreshtuar poshtë 5 emrave të parë, arrin të fitojë të paktën 1 votë parapëlqyese se mesatarja e votave për një mandat që është 10.000, automatikisht ngjitet në krye dhe i pesti në listë rrëshqet një vend më poshtë, duke humbur mandatin.
Praktikisht, çdo kandidat i rreshtuar në listën e PD- së Shkodër “lufton” për të marrë sa më shumë vota parapëlqyese, me shpresën e kapërcimit të mesatares së numrit të votava që duhen për një mandat për një X parti. E nëse e keni vënë re, pa dalë akoma renditja e partive politike në fletën e votimit për 25 prillin, kandidatët në vende të konsideruara jo të sigurta por edhe të tjerët, kanë nisur reklamimin e numrit individual në postera, spote e rrjete sociale. Pra, votoni numrin X në listën e Y parti.
Nuk ka dyshim që rreziku i çoroditjes të jetë i lartë. Këtë herë, zgjedhësit përveç numrit të partisë politike që preferojnë të votojnë, do të duhet të fiksojnë edhe numrin e kandidatit të preferuar në listën e të njëjtit subjekt politik. Nuk është aspak çudi, sidomos për mosha që fillojnë e “japin numra”, të ngatërrohen pikërisht tek ato. Kështu që, që vend të numrit të subjektit politik që ekziston në fletën e votimit 1- 13, ta vendosë në kolonën e gabuar. Majtas do të jenë subjektet, djathtas numrat nga 1- 13 për qarkun e Shkodrës. Pra, numri që identifikon një X kandidat në listë, mund të ngatërrohet me një Y parti, krejt tjetër nga dëshira e votuesit. Kështu, vullneti i tij, me dorën e tij, do të tjetërsohej në sajë të një “loje me numrat”.
Kjo vlen kur një votues ke ndarë mendjen të votojë subjektin dhe individin si të parapëlqyer. Të tjerët, ata që duan të votojnë vetëm subjektin, e kanë të lehtë dhe tregojnë se janë dakort me listimin e depozituar në KQZ nga X parti. Natyrisht, subjektet politike pçor besoj edhe KQZ- ja mund dhe duhet të bëjnë fushata sensibilizuese për mënyrën e votimit. Por deri tani të paktën, numri individual i çdo kandidati në listën e partisë së tij, po bëhet më i rëndësishëm se ai i subjektit politik. E nëse vazhdon kështu, është e pashmangshme të ketë ngatërresa që mund të ndikojnë edhe në rezultatin e zgjedhjeve. Ja pra, çdo e mirë sjell nga pas një të keqe! Sepse është hera e parë që aplikohet në Shqipëri dhe çdo herë e parë, nuk është aspak e lehtë. /Shënim i ShkodraWeb/