Nga Arben Shaqir VATA, gazetar
Pse e duam shumë Kosovën? Përveç të tjerash se është model për zhvillimin e zgjedhjeve. A është normale dhe e drejtë fitorja e VV? E drejtë është, por jo normale. Vota masive ishte votë kundër, ishte votë plebishitare për të larguar të korruptuarit nga qeverisja dhe për të nisur një epokë të re, epopenë e një Kosove që nuk është peng e luftëtarëve të saj.
A të tremb ky rezultat? Po, sepse duhet patur kujdes të menaxhohet vullneti i qytetarëve, për të cilët do të ishte katastrofë një zhgënjim tjetër. Një thuajse dyfshim i rezultatit zgjedhor në më pak se 16 muaj nuk mund të ndodhë herë tjetër.
A janë zgjedhjet në Kosovë një prelud për votimet e 25 prillit në Shqipëri? Teorikisht shërbejnë si katalizator, por sido që të jetë rezultati, nuk mund të ketë përmbysje të tillë politike. Votuesit në Shqiperi janë më fanatikë sesa ata në Kosovë dhe mesa duket e vlerësojnë siç duhet votën.
A është Albin Kurti njeriu që me të vërtetë do të punojë konkretisht për bashkimin kombëtar? Përpara se ti përgjigjemi realisht kësaj pyetje, duhet të dimë sesa përqind e popullsisë dhe politikës në të dy anët e kufirit e duan me të vërtetë këtë bashkim.
Kjo mesa duket është një ëndërr jo e afërt e nuk kemi pse ngutemi për ta vënë si kusht për qeverinë e re të Albin Kurtit. Bashkimi kombëtar, ashtu siç edhe çlirimi i Kosovës, është një axhendë ndërkombëtare, ku Albin Kurti nuk se është personi më i pëlqyer për momentin.
Nëse Kurti e bën Kosovën siç ka premtuar, ai e ka plotesuar vullnetin e zgjedhësve të Kosovës. Pavarësisht se është i majtë, Shqipëria e shqiptarët kudo ku jetojnë, kanë interes që Kosova të qeveriset mirë dhe në dobi të interesave kombëtare.
Ndaj udhë të mbarë qeverisë së Shën Valentinit. Të shpresojmë që çifti politik Kurti-Osmani të mos i tradhëtojnë në asnjë moment e për asnjë arsye interesat e besimin e votuesve.