Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ke nisur numërimin e rreth 10% të votave të zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Është një detyrim ligjor, por gjithsesi mund të gjenden indicie për të futur në lojë Prokurorinë. Deri tani, konstatohen ndryshime të vogla shifrash në mes asaj të deklaruar si rezultat i zgjedhjeve dhe asaj që po konstatohet nga rinumërimi.
Fenomeni që po konstatohet dhe aspak i çuditshëm, është “lufta brenda llojit”. Më së shumti, po konstatohet se brenda të njëjtës sigël politike, ka patur spostime jo të parëndërsishme të votave nga një kandidat tek tjetri. Pra, manipulimi në kuti nuk është perqendruar tek “vjedhja” e votave të kundërshtarit politik por tek marrja e votave nga një rival i të njëjtës listë, tek vetja.
E kam komentuar disa herë se manipulimi i këtyre zgjedhjeve të fundit, edhe i atyre më përpara, është bërë para 25 prillit 2021. Qeveria ka bërë pjesën e vet më të madhe, më të dukshme dhe më me ndikim. Termeti dhe punësimet, pandemia dhe kufizimet, i dhanë dorë të lirë të miratonte VKM- ra dhe akte të tjera nënligjore dhe miliardat e lekëve u derdhën pikërisht gjatë fushatës, shoqëruar nga prerje shiritash.
A është e vështirë të konstatohen këto lëvizje me ndikim direkt në zgjedhje? Aspak, por që të gjitha janë të mbrojtura me ligje, VKM- ra, akte të tjera ligjore e nënligjore. Në këtë kuptim, askujt, nga kryeministri e deri tek zyrtari më i thjeshtë i këtij shteti, nuk i hyn gjëmb në këmbë. Çdo hetim i mundshëm në Kuvend, nuk do të ishte asgjë më shumë se një vrimë në ujë.
Ndikim mjaft të madh në këto zgjedhje, kanë patur edhe individët. Sidomis kandidatët për deputetë dhe drejtuesit politikë të caktuar për administrimin e fushtës. Nuk është sekret se janë derdhur lumenj lekësh, eurosh, dollarësh dhe dhurata e punësime, premtime për punësime. Nuk kanë munguar as thasët me miell.
Shumë nga këto personazhe, janë denoncuar me emra e mbiemra në Prokurori, bashkëngjitur edhe prova të mundshme të akuzuesve të tyre. Deri tani, organi i akuzes nuk është ndjerë. Me shumë gjasa, nëse do të vendosë të hetojë për këtaa persona, rezultatet e mundshme nuk është aspak çudi të dalin në prag apo pas zgjedhjeve të tjera politike në vend.
Çfarë misioni mund të ketë një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit 2021? Çfarë kanë arritur të zbardhin apo përmirësojnë komisionet e njejta pas zgjedhjeve të mëparshme? A ka shqiptar që nuk e di, nuk e ka kuptuar apo nuk ka përceptimin se zgjedhjet në këtë vend shiten, blihen pra nuk janë vullnet i pavarur dhe i lirë i votës së qytetarëve?
Natyrisht, edhe ky komision si paraardhësit, do të kryejë disa funksione. Do të ngrejë e mbajë në këmbë një “kauzë”, atë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, e cila po mbijeton prej 30 vitesh, pavarësisht kush fiton e kush humbet. Do të sherbejë që humbësit të gjejnë prova e indicie se nuk ka qenë 100% faji i tyre eë humbën. Do të mbajë në punë studiot e emisioneve politike por edhe tifozllëkun politik para televizoreve e në tavolinat e kafeve.
Kurdo të jenë zgjedhjet e radhës, politike apo administrative, menjëherë pas tyre humbësi do të kërkojë një komision hetimor për to. Dhe historia do të vazhdojë të përsëritet pafundësisht në këtë vend… Sepse nëse nuk do të zgjidhësh një çeshtje…ngri një komision hetimor në parlament. /Nga Blerti DELIJA/