Një i moshuar dhe një 34-vjeçar janë arrestuar nga Policia e Tiranës të akuzuar për ngacmim seksual e përndjekje. Një prej viktimave të këtyre ngacmimeve seksuale është edhe një vajzë vetëm 8 vjeçe. Ngjarja e parë ka ndodhur në fshatin Marqinet, gjatë muajit gusht të vitit 2015, por është denoncuar të dielën nga prindërit e të miturës, në Komisariatin e Vorës. Burime zyrtare të Policisë thanë se autori i ngjarjes është shtetasi Xhemali P., 63 vjeç, banues në Vorë.
Edhe pse kjo ngjarje rezulton të ketë ndodhur 2 vite më parë, prindërit e të miturës, që aktualisht është 10 vjeçe, pretendojnë se nuk kanë qenë në dijeni dhe sapo e kanë mësuar i janë drejtuar Policisë.
Ata kanë deklaruar se kishin vënë re një ndryshim të dukshëm në sjellje të së bijës, mbyllje në vetvete dhe gjendje frike e ankthi gjatë natës, por nuk kishin arritur të më- sonin se çfarë i kishte ndodhur.
Derisa ditën e diel vajza kishte vendosur të fliste, pasi ishte përballur sërish në rrugë me 63-vjeçarin. Në këtë moment ajo ka folur me të ëmën, duke i treguar se çfarë i kishte ndodhur dy vjet më parë.
Nënë e bijë janë paraqitur në Polici, ku në prezencën e një psikologeje kanë denoncuar shtetasin Xhemali P., i cili është arrestuar menjëherë. Burimet thanë se nga verifikimet paraprake nuk rezulton që ndaj vajzës të jetë abuzuar seksualisht, por vepra të turpshme dhe ngacmime nga ana e 63- vjeçarit.
Tjetër rast në Tiranë
Rasti i dytë i ngacmimit seksual ka ndodhur në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, në Tiranë, në rrugën “Preng Bib Doda”. Policia tha se ka vënë në pranga 34- vjeçarin Ervis S., i cili është kallëzuar për përndjekje dhe ngacmim seksual nga shtetasja me iniciale G.Gj., 23 vjeçe.
Rreth orës 00:30, ajo i ka telefonuar sallës operative, pasi ky person i kishte zënë rrugën pranë hyrjes së pallatit dhe po tentonte të abuzonte seksualisht me të. Menjëherë pas lajmërimit në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 2 që kanë arrestuar në flagrancë 34-vjeçarin.
Në deklarimet që ka dhënë në Polici, e dëmtuara është shprehur se ky person e përndjek dhe e ngacmon prej dy javësh. E pret kur ajo mbaron punën, pasi punon gjatë gjithë kohës turn i dytë dhe e ndjek deri në afërsi të shtëpisë, duke i shkaktuar gjendje ankthi e frike./Panorama
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
Ju mirëpresim!