NGA FATJON GJINAJ – Pasuria e Ilvi Metës dhe një birrë e papaguar (DËSHMI)…

Kur kishte kaluar nga çarçafi te lidhësja e këpucës, pastaj tek një lidhëse në kapuçin e trikos që mbante veshur, e kur një baba i kërrusur nga përdhimbja e mjerimi klithte për drejtësi dhe drejtonte gishtin e akuzës, se si të duken ato dy duar që i bën gropë e në të përmbledh fytyrën e djersitur nga ethet e një ngjarje që do apo nuk do të përfshin, ndërsa atë që nuk e bën dot drejtësia dhe shteti, merr përsipër ta bësh vetë…

Pranë shtëpisë së Ilvi Metës ndodhet një bar-kafe. Janë momentet e fundit që ai ka parë dritën e diellit mesditën e të Mërkurës së 04 Prillit. U ul si çdo ditë në një karrige mes derës dhe banakut, porositi një birrë. E kishte konsumuar gjysmën dhe për arsye të pashpjegueshme, u largua përkohësisht. Pronari thotë se Ilvi ishte person që të bënte për vete, pavarësisht tymit që hidhte pas ku ai shkilte.


“Ishte djalë me temperament dhe ta garantoj unë ty, pavarësisht se i vetëdijshëm për veset e tij, kishte moral të lartë. Nuk duronte të fyhej pavarësisht se një djalë me qetësi olimpike. Kjo më bën të dyshoj tek veprimi i tij ekstrem”, më thotë pronari i beznesit të lagjes, teksa ndodhej pas banakut duke larë filxhanët. Katër burra në një tavolinë përballë nesh pinin nga një diçka, dëgjonin dhe herë pas here miratonin fjalët e mesoburrit nga Kavaja.

“Këtu te kafja ime “përplaseshin” (shkonin shpesh), si Ilvi ashtu Gimi. Por nëse për ty bën çudi pse ata uleshin në tavolina të ndara, për mua ishte e zakonshme. Ai i shkreti (Agim Meta), punon me sa mundet. Ilvi ishte nga këta që nuk i doli askund shtegu, aq problem sa bëhej ndonjëherë për komunitetin, aq ishte dhe zgjidhje. Ne e pranuam ashtu siç ishte sepse ndryshe nga të tjerët që bëjnë dëme, ai se mohonte. Ishte i çiltër”.

Vetëm pak minuta më vonë, pasi 31 vjeçari kishte lënë lokalin, shfaqet një makinë.

“Ishte me targa greke mos gaboj. Dukeshin ata, i njohu një nga këta çunat tanë. “Erdhën këta të operacionales”, – tha. Shikuam që u futën rrugicës për tek shtëpia e Gimit. – “E hëngri dhe një herë Ilvi xhaxha”, më tha një nga këta djemtë tanë. Pas pak dolën me Ilvin krah tyre. Ishte i qeshur. -“Hë shejtan, po shkon prap te vendi”? Ai qeshi dhe s’më tha asnjë fjalë. Unë këmbëngula “ik, ik” – i thashë, “por mbaje mend, s’më dhe lekët e birrës”. – “Do të ti sjell pa merak”, mu përgjigj, dhe e rrasën brenda makinës. Ishte një shaka që bëra me të për ti dhënë kurajo, e dija se do e nxirrnin shpejt. E kanë marrë dhe herë të tjera në pyetje sa herë ka ndodhur ndonjë vjedhje e diçka e tillë dhe e kanë lënë të lirë”.
Fqinjët, e mësojnë lajmin përmes televizionit.

“Gimi erdhi në lokal. Ende nuk dinim gjë çfarë kishte ndodhur. Më merr në telefon dikush dhe më pyet për Gimin. “Këtu e kam”. Vinte çdo ditë i shkreti, i pinte nja dy dopio, por kurrë nuk e tepronte dhe kurrë se prishi gojën me njeri ai djalë nëne. – “Çoje si me të mira në shtëpi, lajmet po thonë se i ka vdekur i biri në komisariat”.

-“Ç’po thua ore. Ai ishte mirë, e pashë kur e morën”?!
– “Ore kështu po të them, ka varur veten”. I them Gimit, – “çohu shko në shtëpi, djalin ta kanë shoqëruar në polici e më duket se nuk është mirë”. Nuk doja t’ia thoja menjëherë. Ishte e tmerrshme. -“Ç’sëmurë është ai ore? Aty të rrijë se e ka kërkuar” (thotë babai i të ndjerit me atë krenarinë e fyer nga “bëmat” e të birit).

– “Pavarësisht se këmbëngula disa herë, nuk më bindej dhe e humba durimin. Kisha një pjatë me peshk në dorë e hodha me tërë nerva në trotuar. U thy dhe peshku u hapërnda. -“Ka vdekur Agiiiiim, tani çohu ikim bashkë në shtëpi”. E humbi fare i gjori. Nuk po i besohej. Djalë të vetëm e kishte”.

Agimi shkon në Komisariat. Nuk gjen përgjigje. Është e paimagjinueshme ti komunikosh një prindi aq sa Policia e Tiranës kishte njoftuar mediat, “Ka vdekur për shkak të vetëvarjes”. Nuk e lejojnë as të shoqërojë djalin. Madje, Agimi nuk e di as orën dhe rrethanat si e kanë nisur djalin e tij drejt Durrësit, për ta mbajtur deri në orën 04:00 të të Enjtes për ekspertizë. Familja dyshon në gjithçka, nuk beson asgjë më. Ata janë aq konfuz sa raportimet e mediave i kuptojnë si njoftime policie e njoftimet e policisë si raportime mediash.

18 herë është shoqëruar dhe ndaluar Ilvi Meta nga blutë e shtetit. Shpesh për tu marrë në pyetje. Njëra prej këtyre herëve është për ngjarjen e mesit të Shkurtit të këtij viti kur Astrit Pukameka, një i arrestuar që u vetëvar në qeli për vdekje, terrorizoi Kavajën duke kryer disa veprime të pazakonta dhe rrezikuar jetën e disa personave me aventurën e tij që nuk u kuptua kurrë. Ilvi Meta ishte dëshmitar dhe u kërkua në Komisariat për të dhënë dëshminë e tij. Blutë e Kavajës jo zyrtarisht dhe të njohur të 31 vjeçarit thonë se Ilvi ka kryer një akt heroik atë ditë, duke i hequr nga duart thikën që po tentonte të bënte kasaphane Pukameka.

Ilvi Meta në orën 17:00 të datës 5 Maj, ka dalë nga një rrugicë e verbër dhe e shkretë rreth 50 m të gjatë që e lidh banesën e tij të mjeruar me rrugën “Egnatia” në Kavajë për t’u përshëndetur për herë të fundit me banorët e lagjes. Arkëmorti i tij ka kaluar edhe përpara lokalit ku e la një ditë më parë birrën përgjysëm dhe të papaguar. Jam i bindur se Ilvi i ka folur pronarit të lokalit: “7 mijë lekë të vjetra, një çels dhe qesen e duhanit më gjetën në xhep pasi vdiqa. Ia kam lënë babait, ia çuan nja dy policë tek shtëpia në mëngjes. Eh i shkreti baba, asnjëherë nuk pa gjë prej meje. Po ja, ka 7 mijë lekë të vjetra tani që nuk i shpenzova këtë herë. Merrja atij atë dreq birre që më përmende”. /Nga Fatjon GJINAJ, gazetar/