“Nga burgu i fashizmit, në qelitë e komunizmit”, jeta-burg e Kin Dushit, historia e trishtë e shkrimtarit dhe gazetarit shkodran të dënuar nga dy regjime

Kin Dushi ishte ylli që shkëlqeu vrullshëm dhe u venit sakaq. Laureanti i parë me “Çmimin e Republikës për Letërsi”, autori i romaneve të para të pasluftës dhe ish-partizani i orëve të para, njihet shumë pak në opinionin e gjerë.

I ndëshkuar dy herë nga dy regjime, ai fashist dhe komunist, shkrimtari fatkeq ka mbetur në memorien e atyre pak bashkëkohësve që jetojnë, si një njeri i rrallë e i mahnitshëm, paçka se furtuna e kohës e mbajti tërë jetën në syrin e ciklonit.


Ai që deshi atdheun si rrallëkush dhe kaloi rininë e vet në barrikadat e betejave, ai që iu kushtua me mish e me shpirt krijimtarisë, duke vënë gurët e parë në kolonat e letërsisë të epokës së pasluftës, gazetari pasionant e skenaristi i talentuar, pati një jetë dramatike, plotë kurthe, vuajtje, intriga, dënime e linçime të gjithëfarëllojta.

E megjithatë diti të mbijetojë, pa e cenuar krenarinë karakteristike dhe vlerat e tjera të spikatura që e veçonin në korpusin e kolegëve dhe krijuesve të kohës. Po kush është Kin Dushi, shkrimtari disident që iu nënshtrua fatit si i erdhi dhe iku në heshtje një ditë prill të vitit 1994…

Nga Shkodra në Normalen e Elbasanit, mandej në Moskë…

I lindur në Shirokë të Shkodrës në maj të vitit ‘22, Kin Dushi kreu studimet në shkollën e mesme “Normale” të Elbasanit dhe prej aty mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtueseve fashistë. Në ballë të frontit në vitin 1942 u arrestua nga pushtuesit dhe u burgos në kampin e Prishtinës.

Aty skicoi dhe romanin e parë, fillimisht të shkruar në formë ditari dhe më vonë në formatin e një romani artistik që e botoi në vitin 1951. Faktikisht, ky ka qenë romani i parë i pas luftës, që asnjëherë nuk u njoh i tillë nga historia e letërsisë e regjimit komunist. Fati deshi të shpëtonte nga ferri i burgut të Prishtinës e të rirreshtohej me bashkëluftëtarët e tij për çlirimin e vendit. Ditët në liri e lumturuan si gjithë të tjerët. Po përsëri ndihej i angazhuar për zhvillimet e reja të nisura rishtazi. Në vitin 1949-1952, kreu studimet në Bashkimin Sovjetik për Letërsi.

Me diplomën e porsacelebruar nisi punën si gazetar te “Zëri i Popullit”, fillimisht me statusin e korrespodentit për zonën e Myzeqesë. Puna e gazetarit tanimë e motivoi dhe më shumë për të vazhduar me krijimtarinë artistike. Në vitin 1955 shkroi romanin “Udha e Velanit”, me të cilin fitoi Çmimin e Republikës, duke u regjistruar kësisoj i pari shkrimtar shqiptar i laureuar me një çmim të tillë. Në vitin 1961 botoi romanin “Kronikë e vendit tim”. Në vitin 1960 shkroi skenarin e dokumentarit të Kinostudios “Shqipëria e Re”, “Vallëzimi i Shqipeve” dhe dy vite më vonë shkroi komedinë “Banorët e shkallës nr. 5”.

Partizani që “deheroizoi” luftëtarin e lirisë

Në vrullin e punës krijuese, Kin Dushi, tashmë pas një përvoje të suksesshme, iu rikthye subjektit të luftës dhe brengave të shokëve të tij të barrikadave, po çuditërisht kur priste ta përgëzonin e kryqëzuan. Romani “Një emër mes yjeve” i botuar në vitin 1964, i mirëpritur në qarqet krijuese si një risi e prozës shqiptare, ishte vlerësuar nga ekspertët e partisë shtet një vepër me vlera të dyshimta dhe me gabime ideore. Shqyrtimi kritik pastaj në Plenumin e 15-të të Komitetit Qendror, do ta fuste në tjetër rrjedhë jetën e autorit që nuk po e kuptonte arsyen e goditjes.

As më shumë dhe as më pak romani i Dushit, kalonte në “dush” të ftohtë nga forumi më i lartë i Partisë për “deheroizëm”, ‘spontanitet’ dhe konceptim anarkik të luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Po e keqja nuk do mbyllej vetëm me ndalimin e romanit.

Autori sipas autoriteteve kishte shkuar shumë më larg se ngjarjet që përshkruante te “Një emër mes yjeve”. Në 3 tetor 1967, Kin Dushit i hedhin prangat ku punonte te redaksia e revistës Ylli dhe me një proces të montuar e dënojnë plot tetë vjet për agjitacion e propagandë kundër partisë dhe pushtetit popullor. Nga ky moment shkrimtari me çmimin e parë të republikës u bë banor i ferrit të Burrelit. Sikundër u konfirmua më vonë hakmarrja nuk kishte të bënte me romanin, por me kundërshtimin e Kinit për vendimin e partisë që shkrimtarët të marrin me vete familjet kur të shkonin për të punuar në rrethe të ndryshme…

Laureati i Republikës, punëtor i 21 dhjetorit

Në vitin ‘75 doli nga burgu e u rikthye përsëri në Tiranë. Dola nga burgu, po burgun gjeta prapë, do shkruante në letrën testament ai. U rikthye në Tiranë, por jo zyrtarisht te familja, te gruaja dhe tre djemtë. Për të ruajtur familjen, Kini me futjen në burg kishte bërë një divorc formal. Qëndroi i vetëm në një dhomë të improvizuar te blloku Vasal Shanto, edhe kjo falë ndërhyrjes së Xhelil Gjonit, asokohe sekretar i KP të Tiranës për propagandën dhe kulturën, një nga miqtë e tij të paktë që nuk e braktisi.

Tashmë nuk do kishte më redaksi e zyrë për të. Punoi si punëtor krahu te 21 dhjetori deri në vitin ‘82 kur mbushi kohën e pensionit. Në atë dhomë modeste në kushte teje të vështira filloi të shkruajë një libër tjetër “Njeriu me proteza”, të cilin nuk mundi ta botonte, pasi shikimi filloi t’i rëndohej dita ditës. Jepte ilegalisht kurse për gjuhë të huaja. Në vitin ‘89 u ribashkua zyrtarisht me gruan dhe fëmijët. Qëndroi dy vjet në spital për sytë. Drita e syve edhe pas një mjekimi jashtë shtetit nuk iu rikthye kurrë. Në prill të vitit ‘94 vdiq nën kujdesin e jashtëzakonshëm të familjes.

Letra-testament me brengat që mori me vete

Në dorëshkrimet e shumta që ka lënë Kin Dushi është dhe një letër testament, të cilën e ka bërë të njohur i biri pas vdekjes së tij. Ja çfarë shkruan ai aty: “Oh, sa do doja të flisja në këtë letër!

Të shfryja gjithë atë mllef që kam në zemër, të grumbulluar prej më shumë se 25 viteve, por jo nuk mundem. Jo se nuk mund të shkruhen mllefet, por nuk e di a mund të lexohen. Sa i qetë do mbetesha sikur të m’i lexonte dikush këto fjalë.

Idealist: Po kështu kam qenë gjithmonë, idealist, kuptimi i thjeshtë i fjalës. Më ka pëlqyer e mira dhe e hijshmja dhe jo vetëm më kanë pëlqyer, por edhe kam luftuar për to. Kam urryer kundërshtarët deri në neveri dhe kjo më ka kushtuar shumë, sepse kundërshtarët, mjerisht nuk kanë qenë të paktë, as të pafuqishëm, as edhe të paaftë. Keq, keq për mua, por edhe për çdo njeri që mendon mirë. 25 vjet të shkuara u gjeta përballë një akuze që paralajmëroi shkatërrimin tim total. U mallkova dhe dola jashtë partie.

Dola jashtë partie dhe hyra në burg. Mandej pas burgu u gjeta edhe më i burgosur, sepse shpresat m’u prenë. Shoqëria më shkelmoi, familja m’u shkatërrua.

Mbeta i braktisur, i vetmua dhe i fyer… Megjithatë duke i trokitur vazhdimisht si kujtesës aq edhe arsyes, nuk mbaj mend të kem ngrënë ndonjë ‘mollë të ndaluar’… Një gjë duhet të dish, o shok, unë nuk kam frikë nga vrasësit, hajdutët dhe të gjithë keqbërësit e tjerë, kam frikë vetëm nga ata që nuk kanë turp”.

At Zef Pllumi: E arrestuan vetëm me dëshminë e hotelxhiut

Kini kishte një kulturë të madhe. Kishte një karakter të vendosur e nji ndershmeni njerëzore. Ishte një ndër shkrimtarët e parë të epokës komuniste. Kishte botuar librat “Në gojën e ujkut” dhe “Udha e Velanit”, me të cilin kishte marrë të parin Çmim të Republikës për Letërsi.

Fatkeqësia i ndodhi në romanin e tretë “Në qiell shkëlqen vetëm një yll”, i cili nuk u botua e nuk u vu në qarkullim sepse ishte kritikuar për tipare revizioniste. U dënua me tetë vite burg në Burrel për arsye të veprave të tij.

Vepra e fundit që shkroi para se të burgosej ishte “Një emër mes yjeve”. Në vitin 1988 u rikthye në letërsi deri në vitin 1994 kur u nda nga jeta duke lënë të papërfunduar veprën “Njeriu me proteza”. Aleko Likaj, i cili e ka njohur Kin Dushin gjatë kohës që ka qëndruar në Cërrik, e ka rrëfyer në këtë mënyrë arrestimin dhe gjyqin e tij arrestimi ndodhi shpejt. Në gjyq i dolën dëshmitarë hotelxhiu dhe kuzhinieri.

E akuzuan për armik të partisë për agjitacion e propagandë. Gjyqin ia bënë në Elbasan. I dhanë tetë vjet burg. Filmi që u realizua sipas skenarit të tij në Cërrik, nuk u shfaq kurrë..

E bllokuan pa dalë në premierë…Në të ishte gjithë qyteti jeta dhe njerëzit e tij. Dhe ata që e akuzuan. E përgojuan. E shkatërruan dhe e dënuan. Kishte shkruar me dashuri për ta…

Dritëro Agolli: Kini ishte njeri i mahnitshëm e plot humor

Kin Dushi është një ndër shkrimtarët e parë të brezit të pasluftës dhe një ndër publicistët e parë të asaj periudhe.

Ishte një njeri me një zgjuarsi të rrallë natyrore, bashkëbisedues i shkëlqyer, me një humor të mprehtë me plotë të papritura dhe paradokse, gjë e cila është një dhunti e veçantë. Kishte një shpirt të gjerë që cilido do të dëshironte ta kishte në sofër.

Ai ishte shumë trim dhe i papajtueshëm me çfarëdolloj pushteti e diktature. Këtë e shprehte gati për ditë nëpërmjet anekdotave dhe rrëfimeve që tregonte, me të cilat vinte në lojë zyrtarizmin e kohës dhe në përgjithësi pushtetin. Një herë, Kini na recitoi mua dhe Ismail Kadaresë nja katër vargje aty në një tryezë të Lidhjes së Shkrimtarëve.

Ato vargje që vinin në lojë pushtetin, ai i kishte shkruar vetë, po na tha se i kishte bërë poeti popullor i Zagorisë, Kiço Spiri. Unë me Ismailin i përhapëm më vonë ato vargje te miqtë tanë dhe për mos të nxjerrë Kinin, u thoshim se na i kishte dërguar miku ynë Kiço Spiri nga Gjirokastra.

E bënim këtë gjë pasi në atë kohë ishte e vështirë të talleshe me një devizë të jetës ekonomike zyrtare, siç ishte çështja e shpikjeve dhe e racionalizimeve… Unë e kam pasur mik të madh…

E burgosën në vitin 1967, kur unë isha gazetar te “Zëri i Popullit”. Unë atëherë po përgatitesha për të shkuar në Kinë. Një ditë parë se të nisesha pimë bashkë në një lokal te Rruga e Elbasanit. Po iki Kin, i thashë, po kam frikë mos rrëzohet aeroplani.

Kini m’u përgjigj: Aeroplani im më duket se do rrëzohet më përpara dhe vërtet kur u ktheva nga Kina nuk e gjeta të lirë. Po historitë e Kin Dushit ishin të lira. Ato tregoheshin.