Ka disa ditë që po dikutohet për një “kërcënim” që paska marrë shefi i OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt. Me të drejtë, duhet të tronditesh, sidomos në kohën që jetojmë. Aq më shumë, një ambasador, përfaqësues i një organizate të rëndësishme ndërkombëtare si OSBE. Po për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Pas protestës së opozitës të shtunën, dikush ka shkruajtur në një mur të rezidencës së tij, “turp të kesh”. Mbase në anglisht mund të tingëllojë si kërcënim, por në gjuhën shqipe është një shprehje që e dëgjojmë që në hapat e parë të jetës. Kur një fëmijë bën një gabim, fjala e parë është “turp të kesh”. Para 1990- ës, shoqërohej me ndonjë shpullë apo shkulje veshi, por sot…jo.
Edhe në shkollën fillore apo të mesmen, shprehja që na vinte deri diku në sedër, sidomos para klasës, ishte “turp të kesh”. Por përsëri para 1990- ës, sepse sot është e vështirë të vësh në sedër të rinjtë…
E njëjta shprehja na ndiqte pas edhe në universitet, kur mbase edhe për hipokrizi studentore, skuqeshim deri tek veshët nën peshën e “turp të kesh”. Por gjithmonë para 1990- ës, sepse sot studentët zbrazin shishe me bojë mbi këkë ministrash apo rektorësh…
Sot, në Shqipërinë e vitit 2019, kur trokitjet tona në derën e Europës së Bashkuar akoma nuk po dëgjohen, nga ndërkombëtarët, “Turp të kesh” e shkruajtur në anglisht, konsiderohet kërcënim!
E kjo ndodh në Europën e lirisië së fjalës dhe lirive të tjera më të çuditshme, të paktën për ne shqiptarët. Në Europën e “jelekverdhëve” që po mbajnë në tym e flakë prej muajsh. Në Europën që një ministër jep dorëheqje se ka harxhuar nga paratë 1 taksapaguesve 100 euro të pamerituara. Në Europën ku emigrantët hidhen në det, ku një ministër vritet me thikë…
E në këtë Europë, ku Shqipëria ashtu si gjatë 45 viteve të komunizmit, fatkeqësisht vazhdon të shihet edhe sot si “parcelë eksperimentale” në kuadër të integrimit europian, shqiptarët vazhdojnë të jenë më europianëdashësit në Ballkan.
Një ambasador, sado i fuqishëm personalisht apo edhe si përfaqësues i një shteti apo organizimi të fuqishëm, kur fut hundër më shumë se duhet në punët e një vendi- qoftë edhe në organizimin shtetëror të tipit “zulu”, ti thuasht “turp të kesh” është shumë pak. Më e pakta e mundshme.
E në fund, të gjithë duhet të kuptojmë diçka. Të gjithë ambasadorët, në finale janë rrogëtarë të një shteti apo një organizate. Sa më e vështirë të paraqitet situata në vendin ku ata shërbejnë, aq më shumë bonuese, edhe financiare, marrin. Me këtë “kërcënimin” e fundit, të gjithë bashkë po ndikojmë që ambasadorit të OSBE-së në Tiranë ti shtojmë pak bonuse. Pa folur këtu për paraardhës të tij por edhe ish- ministra të jashtëm të vendeve të BE-së që për lobime në mbështetje të qeverive dhe objektivave të rradhës, janë larguar milionerë nga Shqipëria e varfër ose zotërojnë bisnese fitimsjellëse në këtë vend, natyrisht jo në emrin e tyre. /Nga Blerti DELIJA/