“Mungesa nuk justifikohet”, klubi kuqeblu kërkon mbështetje nga tifozët, ul ndjeshëm çmimet e biletave për sfidën me Partizanin

Në kampionat nuk fiton prej më shumë se një muaji dhe ka venitur shpresat për një vend në zonën europiane, ndaj Vllaznia ka kthyer sytë nga Kupa e Shqipërisë, si rruga më e mundshme për të arritur objektivin sezonal.

Pas gjysmëfinales së parë në “Elbasan Arena” ndaj Elbasanit, që u mbyll 0-0 mes polemikave, shkodranët do të presin kryeqytetasit në “Loro Boriçi” të mërkurën në orën 17:45, teksa synimi do të jetë padyshim kalimi në finale.


Për t’ia dalë, kuqeblutë kanë shumë nevojë edhe për tifozët, dhe këtë e kanë kuptuar qartë drejtuesit e klubit, që kanë ulur ndjeshëm çmimet dhe kanë përsëritur ftesën për të mbushur plot impiantin.

Kështu në tribunën VIP, një biletë kushton 1500 lekë, ndërsa në tribunën qendrore, çmimi është 1000 lekë. Vetëm 200 lekë kushton një biletë përballë, aty ku vendoset zakonisht tifozëria shkodrane, ndërsa mbrapa porte, mund të hysh me 100 lekë të reja.

Ulja e çmimeve është mirëpritur nga tifozët shkodranë, të cilët pas zhgënjimeve të shumta në kampionat në javët e fundit, pritet të rikthehen e të mbushin “Loro Boriçin” ndaj Partizanit, me shpresën që në fund të festojnë kalimin në finale.