Nuk e njoh skulptorin me origjinë nga Malësia Pjerin Kolnikaj. Ata që e njohin nga afër flasin fjalët më të mira për talentin, skulpturat dhe realizimet e tij ndër vite. Mund të jetë vërtetë ashtu, pasi nuk jam unë që mund të vë në dyshim aftësitë, talentin dhe horizontin e skulptorit Kolnikaj.
Por dy krijimet e tij që janë në foto: Monumenti i At Gjergj Fishtës në Shkodër (tërësisht e pakuptueshme) dhe Monumentin e Luftës së Koplikut 1920 (Moket, s’arrij të kuptoj çka ka dashur të shpreh autori) me duken “mundim i kotë” dhe që nuk e shprehin qëllimin për të cilin u ngritën si monumente kulture.
Në kujtesë: Kur zbulohej monumenti i At Gjergj Fishtës, një malësor patriot e atdhetar nga Berdica e Shkodrës, i zhgenjyer nga ajo që pá përmes lotësh u shpreh: “Prita me pá Gjergj Fishtën e madh, jo këto rrasa prej guri. Dua të jem gabim”! /Nga Rifat YMERI, Zani Veriut/