Mban fjalën dhe rikthehet përsëri në Shkodër! Mjeshtri i Madh Sandër Ruçi do të jetë në qytetin e tij të lindjes me 1 qershor 2019. Në fakt, Ruçi ka tentuar ta mbajë surprizë por e kanë “dekonspiruar” burime të ShkodraWeb pranë tij në SHBA.
Mësohet se Ruçi do të kthehet në Shkodër për një tjetër spektakël, këtë herë, një veriete “bio” shkodrane. Në biseda me miqtë e tij, ai ka zbuluar madje edhe titullin “A a kush n’derë”. Kthimi i Sandër Ruçit në vendlindje vjen vetëm 8 muaj nga premiera e suksesshme në Teatrin “Migjeni” “Turbo Show”.
Premiera e re e varietesë që risjell në Shkodër Mjeshtrin e Madh, është e 12- a personale në karrierën e tij. Përgjatë këtyre muajve në SHBA, Ruçi ka punuar për këtë spektakël, i cili vjen i plotë me shumë aksesorë, zhanre, tema të aktualitetit.
Varieteja do të ketë 13 materiale krejtësisht të reja, të cilat do të gërshetohen me muzikën e ofruar nga një grup i përzgjedhur këngëtarësh të qytetit tonë, nga diaspora por edhe miqtë e bashkëpunëtorët në vite që i kanë qëndruar besnikë Sandrit në të tilla evente.
Si gjithmonë, peshën më të madhe do ta mbajë “personazhi kryesor”, Sandër Ruçi, i cili me këtë variete të rradhës pritet të kthehet si gjithmonë bindshëm me larmi, me stilin e tij të konsoliduar modern e aktual.
Nuk do të mungojë natyrisht në krahun e Sandrit në skenën e “Migjenit”, Mjeshtrja e Madhe e humorit shkodran e shqiptar, Zyliha Miloti, partnere tashmë historike e Ruçit në spektaklet e tij.
Këto janë vetëm pak informaciona që kemi mundur ti “vjedhim” nga miq afër Sandrit në SHBA. Por edhe kaq mjafton për të paralajmëruar një tjetër sukses, të rradhës të Mjeshtrit të Madh në shtëpinë e artit, në Shkodrën që e bëri artist dhe që Sandri i’a di për nder dhe e ka shprehur gjithmonë.
Përgatitjet për varietenë e rradhës së Sandër Ruçit, nisin menjëherë në qershor, sapo ai të mbërrijë në Shkodër. Por këtë vit, ka një risi: Pas Teatrit “Migjeni”, spektakli do të shfaqet edhe në Kosovë për artëdashësit në Gjakovë e Prishtinë.
Sandër, mos të mbesin hatri që të “dekonspiruam” pak surpriyën që po përgatit për Shkodrën, shkodranët e shqiptarët! Kjo shfaqje që po përgatit, është edhe një shend i madh për ty e për dashamirët e tu, pas aksidentit që kalove, fatmirësisht me ndihmën e Zotit, pa pasoja për jetën e karrierën artistike. Mirë se të vish në Shkodrën tande artist! /ShkodraWeb/