Skuadra shkodrane e mori me entuziazëm rikthimin në Kupat e Europës, pas një mungese 9-vjeçare, por starti nuk ka qenë i duhuri, kjo jo vetëm për fatin e saj, pasi tashmë dihet se gjykimi i dha një dorë të mirë Shiroki Brijegut në shtëpi më 8 korrik. Vllaznia të enjten do të luajë përballjen e dytë në Konferencë Ligë.
Nisur nga përballja e parë, ku u mundën 3-1 në transfertë, kuqebluve u duhet një fitore me 3 gola diferencë për të kaluar në turin tjetër. Për mesfushorin shkodran, Arsid Kruja, Vllaznia ka ende shanse për të shkuar te kualifikimi. Kruja kërkon të lihet pas ndeshja e parë dhe për më tepër gjykimi në ndaj Shirokit në Bosnjë. Sipas tij, Vllaznia ka forca për të qenë në turin e dytë të këtij kompeticioni.
E mendonit një rezultat të tillë në takimin e parë?
Të them të drejtën nuk e parashikova kështu. Rezultati më i keq mundshëm që kisha menduar ishte barazimin, por jo humbja me një rezultat të tillë. Ky është futbolli.
A u kishte shkuar nëpër mend se në arenën ndërkombëtare mund të gjenit një gjykim të tillë si ndaj Shirokit?
Është shumë e pakonceptueshme mënyra e gjykimit të arbitrit rus në atë takim, i cili në çdo kontakt tonin na ndëshkonte. Mendoj se standardi i tij i gjykimit ndikoi shumë në rezultatin e ndeshjes, pasi prishi garën e rregullt. Ishte diçka e pakuptimtë, megjithatë tani nuk duhet të merremi me çfarë shkoj, por të mendojmë për ndeshjen e kthimit.
Goli që ekipi shënoi në Bosnjë mund të jetë gol shprese për Vllazninë?
Është gol shprese, sepse me një rezultat 2-0 për ne mund të shkojmë në kohë shtesë. Shanset janë shumë të mëdha dhe me pak përqendrim dhe dëshirë për të fituar çdo gjë është e mundur.
Tani që e njihni nga afër kundërshtarin, a ka forca Vllaznia për t’u kualifikuar?
Unë mendoj se shanset janë, pavarësisht diferencës së golave nga ndeshja e parë. Ne do bëjmë më të mirën dhe të respektojmë ato detyra të cilat na jep trajneri dhe ta arrijmë qëllimin.
Për të shkuar te kualifikimi u duhet të fitoni me 3 gola diferencë. Si mund ta arrini këtë gjë të enjten në “Loro Boriçi”?
Mjafton që të shënojmë 2 gola dhe të shkojmë në shtesë, por do ishte një arritje e madhe ta mbyllim ndeshjen 3-0 dhe të kualifikohemi. Gjithsesi, ne do të bëjmë maksimumin për rezultatin që duam duke pasur besim në forcat dhe cilësitë tona.
Sa do t’ju ndihmoj fakti që në këtë takim do të keni mbështetjen e tifozërisë shkodrane?
Edhe në Bosnjë tifozët ishin të shumtë dhe normalisht ndikon te skuadra. Në këtë takim favori ynë është se mbështetja e tifozëve pritet të jetë e madhe, ndaj shpresojmë që të mos i zhgënjejmë dhe të arrijmë qëllim tonë, kualifikimin.