Prokurori shkodran Vatë Staka zgjidhet antar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Staka ka marrë 138 vota pro ndërsa 81 kolegë kanë votuar kundër. Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve u thirr nga kryeprokurorja Arta Marku për të zëvendësuar Antoneta Sevdarin e shkarkuar nga vetting-u. Vatë Staka ishte kandidati i vetëm për vendin vakant dhe fleta e votimit parashikonte tre mundësi: Pro, kundër dhe e pavlefshme. Nga sot, Vatë Staka do të ulet zyrtarisht në karriken e antarit të “qeverisë” së prokurorisë shqiptare.
Institucioni i ri i ngritur në kuadër të reformës në drejtësi, që konsiderohet si “qeveria” e prokurorëve funksionon me vetëm 10 anëtarë, që pas shkarkimit të Antoneta Sevdarit nga Kolegji i Posaçëm të Apelimit. Menjëherë pas këtij vendimi, kryeprokurorja e përkohshme hapi garën dhe ftoi të gjithë prokurorët e interesuar të garonin për vendin vakant në Këshill. I vetmi që paraqiti kandidaturën brenda afatit ligjor dy javor, ishte Vate Staka, i cili gjatë garës së parë, nuk i bindi dot kolegët prokurorë t’i jepnin besimin për t’i përfaqësuar në Këshill, ndonëse e ka kaluar me sukses testin e Vettingut.