Ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, koncensionari turk i nxjerrjes dhe pasurimit të Bakrit në zonën e Pukës, i cili ra pre e vjedhjes me maska dhe armë, sot nuk ka hapur dyert për fillimin si zakonisht të punës. Kompania ka njoftuar minatorët dhe punonjësit e tjerë se, deri në një vendim të dytë aktiviteti i saj në minierën e Munellës dhe fabrikën e pasurimit të bakrit në Fushë Arrëz do të pezullohet.
Administratorët e koncensionarit, pohuan se është marrë vendimi që puna mos të nisë deri në zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e autorëve. Dyshimet për një vjedhje të brendshme nëse vërtetohen do të shoqërohen me masa ekstreme deri në riorganizimin e një stafi të ri bënë të ditur kompania.
Një ditë më parë njëri nga sektorët e minierës së Munellës ra preh e vjedhjes. Pasi keqbërësit i bënë presion policit privat duke e mbyllur në vendroje, qetësisht kanë këputur kabujt e energjisë elektrike duke shkaktuar sipas kompanisë një dëme në miliona lekë.
Pezullimi i aktivitetit nga kompania ka lënë pa punë 100 punonjës, të cilët nuk dinë se kur do të rifillojë puna, teksa punëdhënësi duket se është i vendosur që mos të rinisë punën, derisa policia të zbardhë ngjarjen dhe arrestojë autorët.
Policia, e cila ka shoqëruar disa persona në cilësinë e të dyshuarve, mësohet se deri tani ka ekzekutuar urdhër arrestet për dy policët privatë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. /Nga Armir MEHAJ/