“Lufta me horrat me minifund është betejë e humbur”, Mimoza Rexhevelaj “divorc” me PD- në, mbeti jashtë Këshillit Kombëtar

Pas shpalljes së listës së fituesve të Këshillit Kombëtar, kanë nisur edhe reagimet në rrjetet sociale. Mimoza Rexhvelaj, shkrimtare dhe demokrate e njohur në Malësinë e Madhe dhe jo vetëm, e mbetur jashtë listës fituese, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale.

“Falenderoj gjithë ata që zgjodhen të më votonin, i falenderoj që votat mi sollën me foto ti numëroj e qetë. Por duket se lista qënka parashkruar me fituesit, votimi nuk ishte real dhe lista fituese lë për të dëshiruar

Fasada nuk i bën mirë një partie që njeh veç humbje, një partie që në themelet e saja duhet të kishte meritokracinë, vlersim asetesh e kontributesh, demokracinë, respektimin e vlerave. Mirënjohese secilit prej jush.

Partia Demokratike nuk më don, edhe unë s’ kam forcë më ta dua. Sepse lufta me horrat me minifund është betejë e humbur. Si humbja, si fitorja me ta nuk të jep lavdi.

Nga ky moment Mimoza Rexhvelaj nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Më vjen keq kjo parti nuk frymëzon më. Nuk eci dot me njerëz fallso, njerëz pa moral, njerëz pa shtyllë kurrizore.

Këta nuk sjellin shpresë. Nuk frymëzojnë se ky vend mund të bëhet. Betejat e mia do i bëj me njerëzit e drejtë me ata që luftojnë për vlerat. Rrugët tona ndahen këtu, uroj fort që të ringriheni. Suksese në jetë!”, shkruan Rexhvelaj duke zyrtarizuar “divorcin” me PD- në. Ndërkohë, një ditë para votimit në Kuvendin Kombëtar të PD- së, Rexhvelaj kishte publikuar një tjetër shënim në rrjete sociale, mjaft të ndryshëm nga i sotmi.