Kryeministri Edi Rama ka nisur nga Gjermania turin për të bindur vendet e BE për hapjen e negociatave. Rama ka zhvilluar mesditën e sotme në Berlin një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel. Pas takimit Rama dhe Merkel do japin një konferencë për mediat.
Një ditë më parë Rama takoi në Tiranë presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili u shpreh se është optimist për vendimmarrjen e qeverisë së vendeve anëtare të BE dhe Parlamentit Europian në muajin qershor. Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë mesditë në Bundestagun gjerman, shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
“Ish-basketbollisti dhe artisti në Berlin do të synojë me sharmin e tij të bëjë për vete kancelaren Merkel që të marrë mbeshtetjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, shkruan gazeta gjermane. Dhe vërtet Rama, një socialist ..ka se ç’të tregojë. Ekonomia rritet, Tirana mbushet me fasada që shkëlqejnë, një reformë në drejtësi e kërkuar nga BE ka marrë udhë…Por që ka njerëz që janë skeptikë, kur shtrohet pyetja për Shqipërinë që të bëhet sa më shpejt anëtare e BE-së, kjo lidhet edhe me histori si kjo: Në tetor prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri…sepse emri i tij përmendej disa herë në telefonatat mes tregtarëve shqiptarë dhe italianë të drogës.”, shkruan e përditshmja gjermane “Die Welt”.
Gazeta gjermane i kushton vëmendje të gjithë zhvillimeve lidhur me rastin Tahiri dhe konkludon me përgjigjen e Ramës kur i pyetur nga “Die Welt” lidhur me rastin e sëkëlldisshëm Tahiri thotë: “Besoj në radhë të parë se dyshimet ndaj një personi nuk mund të pengojnë përpjekjet e një vendi të tërë”. Gazeta thekson se “është një nga këto raste që e prishin dhe përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës”. Deri më sot nuk është i hequr plotësisht dyshimi se kriminaliteti i organizuar ka kapur fort ekonominë e vendit dhe tentakulat e tij arrijnë deri në nivelet më të larta të qeverisë. Në raportin e Interpolit për vitin 2017, Shqipëria renditet ndër prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit në Europë, ky vend përshkruhet si pikë e rëndësishme e tregtisë me kokainën dhe heroinën.”, shkruan “Die Welt”.