Java që vjen pritet të sjellë edhe afrimet e para. Vllaznia vijon përgatitjet në Shkodër, pavarësisht se ditët e fundit kushtet atmosferike kanë bërë që skuadra të “ngujohet” në kalçeto.
Mirëpo, kjo nuk duket se e ka penguar shumë trajnerin Hasan Lika dhe stafin e tij për të zhvilluar planin stërvitor. Përveç impenjimit që paraqesin lojtarët aktualë, deri në këto momente nuk është bërë asnjë zyrtarizim pranë skuadrës. Drejtuesit e klubit janë optimistë se me ekipin në merkaton e janarit do të bashkohen lojtarë cilësorë.
Deri tani, me përjashtim të mbrojtësit të ri Senad Hysenaj, që mesa duket do të lërë përfundimisht Partizanin dhe të bashkohet me Vllazninë, nuk ka asnjë emër tjetër. Mësohet se Hysenaj mund të kalojë në formë huazimi te shkodranët, ndërsa ka luajtur edhe në miqësoren me Laçin. Megjithatë, klubi ende nuk e ka zyrtarizuar, gjë që pritet ta bëjë në ditët në vazhdim.
Në Shkodër u përfol për mbërritjen e një sulmuesi nga Nigeria, pjesë e akademisë “Derby”, por deri tani nuk ka asnjë zhvillim konkret. Po ashtu, drejtori sportiv i klubit Vllaznia, turku Engin Firat, deklaroi për afrimin e një sulmuesi algjerian dhe dy mesfushorëve, një shqiptar e një maqedonas. Por edhe në javën që u mbyll nuk është parë asnjë prej këtyre lojtarëve. Nga sa mësohet nga burime pranë klubit, këtë javë që vjen pritet të vijnë edhe lojtarët e parë. Flitet për dy lojtarë, një sulmues e një mesfushor.
Ajo që nuk dihet është nëse janë lojtarët e përfolur nga Firat apo alternativa të tjera që i janë afruar Vllaznisë. Për më tepër, nuk dihet nëse këta futbollistë të përmendur do të vijnë për provë apo do të bashkohen menjëherë me ekipin. Një gjë e tillë mbetet për t’u parë, pasi në merkaton e verës tekniku Lika nuk afroi asnjë pa e parë më parë për vlerat që ka.
Një gjë e tillë mund të ndodhë edhe kësaj here. Mirëpo, koha për të testuar lojtarë sa vjen e pakësohet dhe kjo mund të bëjë që Vllaznia të gabojë në afrimet e bëra. Gjithsesi, duhet që në radhë të parë këta lojtarë të vijnë e më pas të shikohet për seleksionimet e tyre. Megjithatë, tekniku Lika e ka shprehur edhe gjatë intervistave të tij se e ka më shumë mendjen te grupi sesa tek ajo që do të sjellë merkatoja. Sipas tij, skuadra është e kompletuar dhe po u përgjigjet mirë kërkesave të tij. I vetmi shqetësim që momentalisht ka tekniku është bashkimi me skuadrën i mbrojtësit rumun Dan Ignat. /Nga Admir URUÇI/