Edi Rama ka bërë një lëvizje të papritur. Ka emëruar në krye të Prefekturës së Shkodrës një zonjë pa asnjë eksperiencë politike. Bëhet fjalë për Majlinda Angoni, drejtuese e Qendrës së Gruas “Gruaja tek gruaja”. Edhe pse nuk ka akoma asnjë konfirmim zyrtar apo prezantim, mësohet se emërimi është bërë ditën e djeshme, bashkë me caktimin e Ilir Beqjat si drejtues politik në Qarkun e Shkodrës. Pavarësisht kësaj, emërimi i Angonit duhet të bëhet përmes një VKM-je.
Majlinda Angoni është e njohur si aktiviste e shoqërisë civile por edhe si bashkëshortja e Edmond Angonit, mjeshtrit të maskave veneciane që prodhohen në punishten e tij në Shkodër. Për një periudhë, ai ishte edhe drejtor i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, i emëruar nga Bashkia e Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe, Angoni ngriti problemin e amortizimit të ndërtesës së Teatrit, duke i kërkuar kryebashkiakut Luka të asaj kohe edhe mbylljen e dyerve.