Pas lajmeve në media të ndryshme e portale, ka ardhur reagimi i familjes Berisha për fatin e fëmijës së tyre Alvin. Përmes një komunikimi me ShkodraWeb, avokati i familjes kërkon të sqarojë opinionin se nuk janë në dijeni të asnjë lajmi të besueshëm për “zhdukjen e tij nga kampi në Siri”. Madje, avokati i familjes nënvizon se lajmi i vetëm i sigurt që kanë është se “Alvini aktualisht gjendet në kampin Al Hawl”. Më poshtë, reagimi i plotë i avokatit të familjes Berisha për ShkodraWeb
“Duam të qartësojmë: Si familje nuk jemi në dijeni të asnjë lajmi të besueshëm në bazë të së cilit Alvini nuk gjendet më në kamp. Lajmi i fundit i sigurt që kemi, tregon që Alvini aktualisht gjendet në kampin Al Hawl. Kemi besim të plotë në punën që po bëhet nga ana e Shtetit shqiptar dhe që ilustroi edhe Kryeministri Zoti Rama gjatë konferencës për shtyp.”.
Prej disa orësh po qarkullojnë lajme për zhdukjen e Alvinit 11 vjeçar, ndërsa përmes disa mediave ka folur edhe babai i tij Afrim Berisha, duke shprehur pikërisht këtë shqetësim. Reagimi i avokatit të familjes për ShkodraWeb. mbyll tani për tani çdo hamendësim. /ShkodraWeb/