Që në momentin e parë të emërimit si prefekt i Qarkut Shkodër, ShkodraWeb e kishte paraljmëruar. Valdrin Pjetri do të jetë kandidati i PS-së për Bashkinë e Shkodrës, në zgjedhjet që sipas socialistëve, do të mbahen me 30 qershor. “Ekzaltimi” ka përfshirë selinë rozë të Shkodrës, e cila ka nisur përgatitjet për eventin e rëndësishëm politik, prezantimin e Pjetrit si kandidat i mazhorancës në bastionin demokrat.
Prej ditës përflitej se Rama do të vinte në Shkodër bashkë me “Bashkia që duam” për të prezantuar të përzgjedhurin e tij për bashkinë. Por tashmë, burimet brenda PS-së lokale thonë se 26 prilli do të shënojë edhe prezantimin e Valdrin Pjetrit si kandidat. Po ashtu, kanë nisur edhe mbledhjet e strukturave, të cilat paraprakisht do të mobilizohen për pjesëmarrje të gjërë të takimit, i cili do të zhvillohet në shesh. Gjithmonë nëse parashikimet e motit do ta mundësojnë.
Vetëm disa ditë më parë ShkodraWeb informoi për një ultimatum të Ramës për drejtuesin politik të qarkut Shkodër Ditmir Bushati. Në një darkë “paqtimi” me faktorët lokalë të majtë, Rama kishte nxjerrë emrin e Valdrin Pjetrit si kandidat për Shkodrën. Ndërsa mbizotëronte heshtja, ka qenë Bushati ai që ka deklaruar se nuk do të mbështesë një kandidaturë që vjen si propozim nga deputetë jashtë PS-së, qoftë edhe nga ata që kanë deklaruar mbështetje për mazhorancën. Në atë moment, ka reaguar Rama i cili i ka thënë Bushatit të gjej një emër tjetër më të mirë ose të kandidojë vetë dhe të marrë Bashkinë e Shkodrës. Madje, rama i ka dhënë një javë afat Bushatit.
Pavarësisht se deri tani, PS nuk ka një rival përballë në asnjë nga bashkitë për shkak të mospjesëmarrjes së deklaruar në zgjedhje të opozitës me Ramën kryeministër, fillimisht duhet të sheshohen pakënaqësitë e hapura dhe të fshehta brenda rradhëve. Për shkak të tyre, më shumë se një herë, PS është rrënuar në garat elektorale për qeverisjen vendore në Shkodër. /ShkodraWeb/