Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar ditën e sotme emërimin e përkohshëm të katër prokurorëve.
Në një njoftim për media, bëhet me dije se Këshilli vendosi unanimisht, miratimin për caktimin e përkohshëm për Drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, z. Lazër Çardaku si dhe Drejtuesin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, z. Durim Bedini.
Këshilli miratoi me 10 vota pro raportin e vlerësimit për z. Alfred Sali, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë si dhe atë të znj. Marsida Frashëri, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër.
Më pas, mbledhja vijoi me paraqitjen e 4 raporteve vjetore për veprimtarinë e komisioneve të përhershme të Këshillit, për vitin 2021, përkatësisht: të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës; Komisionit të Disiplinës; Komisionit për Mbrojtjen e Prokurorëve dhe të Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale.