
Për të informuar të gjithë tifozët e mrekullueshëm të Vllaznisë, por edhe për t’i mbyllur rrugën njëherë e mire shpifjeve dhe aludimeve të jabanxhinjve dashakeq të klubit kuqeblu dhe Shkodrës, rikonfirmoj se Klubi i Futbollit “Vllaznia”, Bashkia e Shkodrës, unë nuk kemi reshtur për asnjë moment përpjekjet për të nënshkruar një marrëveshje me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve për të ashtuquajturin borxh tatimor të trashëguar në vite të KF Vllaznia sh.a. , detyrim i pa merituar për të cilin kam bërë kërkesë në gjykatë te shkallës së parë e apeluar në gjykimin e shkalles së lartë.
Po ju vë në dispozicion një shkresë – përgjigje negative nga ana e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Shkodër, pas një kërkese të radhës nga ana jonë për lidhjen e akt- marrëveshjes, ku specifikohej qarte se për lidhjen e marrëveshjes duhet të paguhej komplet pjesa e detyrimit mbi sigurimet shoqërore dhe shendetësore si dhe të ardhurat në burim, shume kjo që tejkalonte vlerën e mbi 1 miliard lekë të vjetra.
Dukej e pabesueshme, në një moment shumë të rëndësishëm për Vllazninë, siç ishte licencimi për pjesëmarrje në Kupat e Europës, por ne ia dolëm të nënshkruajmë akt – marrëveshjen e kur pakkush ishte optimist. Nuk ka patur asnjë “magji”, por përkushtim maksimal, profesionalizëm nga ana e strukturës administrative, juristëve dhe financierëve, bashkëpunim institucional dhe vullnet të mirë të të gjithë partnerëve, mbështetje të të gjithë dashamirësve kuqeblu. Forca Vllaznia! /Publikuar në faqen zyrtare në Facebook të kryetares së Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi/