“Ja si do të veprohet për privatizimin e Vllaznisë”, kryebashkiakja Ademi: Gati ta propozojmë në Këshillin Bashkiak

Në emisionin “Fair Play” të gazetares Enkeleida Zeko në Syri TV është e ftuar kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila foli për procesin e privatizimit të klubit “Vllaznia”.

“Klubi futbollit Vllaznia është 100% shoqëri aksionere e themeluar nga Bashkia Shkodër. Mënyra e organizimit, duke qenë publike, ka vështirësitë e veta. Ka patur përpjekje gjatë gjithë këtyre viteve për t’u privatizuar, por nuk ka ndodhur asnjëherë. Në kuptimin juridik është shitja e aksioneve, jo privatizimi. Te Vllaznia nuk ka asnjë rast pagesa që kryhen jashtë sistemit.


Ne si Bashki kemi vijuar të financojmë, por kemi vuajtur nga mungesa e fleksibilitetit, pasi kur bëhet fjalë për klube private, mënyra është më e shpejtë. Ndaj procedura e privatizimit, nuk mund të përshpejtohet.

Për momentin po flasim për procedurë, pasi nuk mund të flasim për ofertë nga kandidatë të ndryshëm. Kemi folur me ekspertë, për të modeluar procesin e privatizimit.

Të keni parasysh që Vllaznia është klubi i parë shqiptar dhe kjo i jep një avantazh.

Procesi është në fazën që kemi bërë një raport paraprak, kemi mbyllur bilancet e vitit 2019 dhe në ditët në vijim po bëhemi gati të prezantojmë në Këshillin Bashkiak një propozim që Bashkia e Shkodrës të vendosë në shitje aksionet e klubit.

Këshilli Bashkiak do të përcaktojë se sa përqind të aksioneve do të shiten dhe çmimi fillestar. Bëhet fjalë për një procedurë tërësisht transparente dhe të konfirmuar”, deklaroi kryebashkiakja e Shkodrës.

 ABCOM ║ VODAFONE