Arrestohen dy ish- truprojet e ish ministrit Saimir Tahirit, Hekuran Marku dhe Paul Deda alias Agustin Deda të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar që prej 2 muajsh, pasi dolën në përgjimet e megaoperacionit ‘Shpirti’. Të dy janë të dyshuar si i përfshirë në ‘skemën’ e trafikut ndërkombëtar të kanabisit që grupi kriminal i drejtuar nga Ilirjan Zaimi Duçellari kishte krijuar. Mësohet se Hekuran Marku, është arrestuar në Gjermani dhe Agustin Deda është arrestuar në Francë.
Bëhet fjalë kur ata ishin pjesë e trupës së shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ky ishte ministër i Brendshëm, në vitet 2014-2016. Sipas dosjes së SPAK, ata akuzohen se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar të njohur si Eltjon Bregu kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë, drogë që iu sekuestrua dy të arrestuarve në Bari, Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. SPAK dyshon se Deda dhe Marku kultivuan drogë me Bregun dhe tentuan ta trafikonin për tua dorëzuar katër italianëve.
Emrat e Agustin Dedës dhe të Hekuran Markut dolën nga dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë të cilët kanë rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ata bashkëpunuan duke dhënë informacione për 3 vite, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafian italiane, Eurojust dhe DIA, dokumentuan aktivitetin kriminal të 4 grupeve që trafikonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe Spanjës.
Dy ish shoqëruesit e Tahiri, janë mes 38 urdhër-arreste të prera në kuadër të këtij operacioni, 10 prej tyre të arrestuar më herët në operacionin “Kulmi”.
Sipas burimeve të Report Tv, Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka dërguar dokumentacionin e nevojshëm tek partnerët e dy vendeve dhe ditët e ardhshme Marku dhe Deda ti nënshtrohen ekstradimit në Shqipëri.