E ftuar në emisionin “Kjo Javë” Voltana Ademi shprehu me bindje se do të vijojë të jetë kryetare e Bashkisë së Shkodrës, deri kur qytetarët shkodranë të zgjedhin të lirë të zgjedhurit vendorë.
“Unë kam dëgjuar, dhe është komike, kam dëgjuar edhe politikanë të artikulojnë data si 13 apo 12 gusht, që nuk i gjen të shkruara në asnjë dokument. Që do të thotë Kushtetuta parashikon një mandat në vazhdimësi 4- vjeçar. Nuk definohet, madje për vendorin është e hapur duke ia lënë mundësinë një procesi të drejtë të rregullt të zgjedhjeve. Kushtetua parashikon parimin e vazhdimësisë. Mund të ndodhë të përsëriten zgjedhjet, të mos kemi konkurrent për një bashki, këtu nuk mbaron puna. Puna e kryetarit të bashkisë, mbaron kur ka zgjedhje.
Ne nuk po flasim për t’u përshëndetur, çështja është më e thellë kur bëhet fjalë për legjitimitet të përfaqësimit, sepse përgjegjësia është shumë e madhe. Legjitimiteti është fjalë e madhe edhe për atë që duhet të jetë i zgjedhur, dhe kjo vlen për të gjithë ata që pretendojnë që në mënyrë ilegjitime të marrin atë që nuk i takon. Do të jem aty deri sa njerëzit na mbështesim. Përfaqësim i denjë, unë jam dhe do të jem kryetare e bashkisë së Shkodrës.” u shpreh Ademi.
Ademi theksoi se s’mund të bëhet marrëveshje me kryezaptuesin e çdo pushteti, ndërsa shtoi se Rama po bën një politikë amorale.
“Marrëveshjet politike mendoj se s’do na japin drejtësinë. Nuk mund të ketë marrëveshje politike me amoralitetin dhe zaptuesin gjithçka. Nuk mund të bisedohet me amoralitetin. Shpresoj që gjykatat shqiptare pas padive tona të vendosin drejtësi. Ndryshe mund të shkojmë drejt kaosit dhe nuk dihet se ku mund të shkohet pastaj. Të tregosh forcën në emër të së drejtës mendoj se është e drejtë. Madje mendoj se duhet më tepër angazhim se kaq”, tha Ademi.
Voltana Ademi shtoi se të gjitha veprimet e saj janë legjitime dhe i përmbahen ligjit.
“Forca që marr unë, është një detyrë që kam përgjegjësi ta çojë deri në fund. Derisa njerëzit e duan, unë do ta coj deri në fund. Unë jam shumë dakord që nuk mund të vazhdohet më kështu. Fakti që kemi kallëzime penale të forcave politike në Prokurori për shkelje të rënda, fakti që kemi padi për procesin dhe ilegjtimet të mandateve, mirëpo ndërhyrja në gjykata e politikës, ka bërë që kaosi institucional të jetë i rëndë”, deklaroi ajo.