Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në Radio-Televizionin Shqiptar. I pyetur për arritjet në futbollin shqiptar në kohën e drejtuar prej tij, Duka u shpreh se:
“Federata e Futbollit ka bërë shumë hapa përpara. Nëse do të kthehemi shumë kohë më parë, unë mendoj se një nga arritjet më të rëndësishme është konsolidimi i institucionit të Federatës. Jo vetëm që nga infrastruktura apo ambientet që ishin inekzistente, por edhe në strukturat e saj, që gjenden në gjithë vendin. Më parë luhej nëpër fusha që sot nu do të ishin të pranueshme për Kategorinë e Katërt, ndërsa sot kemi bërë shumë përpara. Rezultatet e kombëtares janë të dukshme. Tashmë jemi kualifikuar në një evropian dhe synojmë në tjetrin. Klubet shqiptare përfaqësohen denjësisht në Evropë dhe kalojnë turet eliminatore me lehtësi.”
Rreth “importit” të futbollistëve të lindur apo rritur në Kosovë, që kanë çuar në debate publike, kreu i FSHF-së mohon të ketë mosmarrveshje me Federatën e Futbollit të Kosovës: “Futbollistët zgjedhin sipas dëshirës: Nëse dëshirojnë të vijnë te ne, janë të lirë. Debatet, apo përplasjet, më tepër besoj se janë mediatike se sa reale”.
Një problematikë e dukshme është ajo e terreneve sportive. Në lidhje me të, z.Duka deklaron se Federata ka bërë maksimumin. Sipas tij, institucioni që ai drejton, nuk mund të plotësojë i vetëm nevojën që ka futbolli shqiptar, pasi vetëm në kryeqytet nevojiten rreth 40 fusha për ekipet zinxhir të klubeve të Tiranës. “Kur u zgjodha President, luanim në moçale”- u shpreh 55-vjeçari, duke ritheksuar se nën drejtimin e tij, futbolli shqiptar ka siguruar të paktën kushtet minimale për t’u zhvilluar.
Ish-kompleksi Dinamo do të shndërrohet në një kompleks për ekipet kombëtare. Nuk do të jenë vetëm zyrat e FSHF-së. Do të ketë një ministadium me 500 vende, ku mund të zhvillohen turne të ekipeve të moshave. Investimi për këtë kompleks arrin në shifrën e 8 milion eurove”. Rreth paradoksit se kompleksi në Kamzë përdoret nga klubet, ndërsa Kombëtarja stërvitet në fushën e një klubi, z.Duka u shpreh: “Në Kamëz stërviten përfaqësueset U-17 dhe U-19. Tani do të ketë dhe një qendër stërvitore në Tiranë për Kombëtaren A.”
Në platformën e tij për mandatin e ardhshëm, nëse do të konfirmohet si kreu i FSHF-së, z.Duka premtoi:
“Në katër vitet e ardhshme do të rikonstruktojmë 2 stadiume; do të kompletojmë stadiumet e Superligës me impiante ndriçimi; do të kompletojmë ekipet e Superiores me fusha stërvitorem e bar natyral; do të ndërtojmë 70 fusha për fëmijë dhe një fushë futbolli për të verbërit”. Sa i përket terreneve në të cilat luhet Kategoria e Parë, që transmetohet në rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar me vështirësi të veçanta, ai u shpreh: “Kushtet e transmetimit janë përmirësuar, por nuk janë ideale”./RTSH/