Kështu e ka futbolli! Prandaj është i bukur sepse është i paparashikueshëm. Pas 90 minutave në “Loro Boriçi”, brenda 2 minutave Vllaznia humbi një ndeshje me Partizanin që fare mirë, edhe mund te fitonte, Por natyrisht, fitorja, humbja e barazimi janë tre rezultate gjithmonë të mundshme e kjo vlen për të gjitha kampionatet në botë.
Në fushën e blertë Vllaznia humbi por në shkallët e stadiumit fituan tifozët e sidomos tifogrupi “Power 12”. Ky grupim mbështetës i Vllaznisë u prezantua sot për herë të parë pasi kaloi me sukses “provën gjenerale” në mbështetje të Vllaznisë së basketbollit në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”. Sot, “Power 12” kaloi me shumë sukses provën e parë dhe me siguri, do të vazhdojë kështu, brenda e jashtë Shkodrës. Për herë të parë, një tifogrup shumë i organizuar, i disiplinuar dhe mbi të gjitha, mbështetës pa kushte për Vllazninë tonë.
“Si ne humbje si ne fitore, perjete me ty VLLAZNI????” dhe “Gjithmon Aty Per T’madhen VLLAZNI???“, ngjallin emocione të forta jo vetëm për shkodranët, jo vetëm për tifozët e Vllaznisë por pët të gjithë dashamirësit e futbollit kudo ku janë. Sot Vllaznia fitoi një mbështetje të re, të kultuar dhe në çdo rrethanë. Ndoshta ndodh për herë të parë edhe në Shqipëri. E për këtë, meritojnë një FALEMINDERIT të madhe! Fillimisht nga Klubi shkodran, më pas nga çdo tifoz kuqeblu që duhet ti marrë shembull. #ForcaVllaznia #GjithmoneKuqeblu #Power12 /ShkodraWeb/