Një ngjarje e rëndë është verifikuar mbrëmjen e sotme në Shkodër. Skelat e vendosura për rikonstruksionin e “Pallatit të kinezëve”, janë rrëzuar duke sjellë panik edhe për qytetarët.
Mësohet se si pasojë e rrëzimit të skelave, ka patur dëme materiale, ndërsa është dëmtuar edhe një makinë e parkuar në zonë. Në vendngjarje janë edhe forcat e policisë.
“Pallati i kinezëve” është në skajin jugor të pedonales “28 nëntori”, vetëm pak metra larg bashkisë Shkodër. Rrëzimi i skelave ka ndodhur për shkak të stuhisë që prej disa orësh, ka përfshirë qytetin e Shkodrës.
Për të parandaluar ndonjë ngjarje të pakëndshme, nga firma kontraktore e punimeve, do të ishte mirë që skelat të çmontoheshin ose të forcoheshin me lidhje të reja shtesë.