Vllaznia ka nisur nga puna për sezonin e ri. Ditën e sotme, klubi përmes një postimi në rrjetet sociale konfirmoi rinovimin e kontratës me zv.trajneri Elvis Plori.
Shkodrani ka qenë në staf me Brdariç si zv.trajner, ndërsa me postimin e fundit të sponsorit Xhaferi mund të jetë Plori që do të drejtojë ekipin.
Në një postim në rrjetet sociale, Xhaferi shihet në shoqërin e Plorit, drejtorit Djarmati dhe sekretarit Dibra, ndërsa ajo që bie në sy është mungesa e trajnerit Thomas Brdariç. Kjo foto mund të quhet nga ato që flasin sa “një mijë fjalë”.
Me shumë gjasa, mesazhi që është tentuar të përcillet eshtë se gjermano- kroati nuk do të jetë pjesë e punës së nisur për Vllazninë e madhe. Megjithatë, pritet zyrtarisht informacion zyrtar qoftë nga klubi shkodran, ashtu edhe vetë Brdariç.
Postimi i Xhaferit:
“Filloi puna, Vllaznia e madhe po vjen”.
Ndërkohë, në rrjetet sociale ka nisur të diskutohen emra trajnerësh të mundshëm. Në një faqe në FB e cila i është dedikuar Vllaznisë, lexohet:
“Lajmi i fundit Perica Ognjenović ish lojtar i Real Madrid në sezonin 1999-2000 pritet të jetë trajneri i ri i Vllaznisë.
Kjo është edhe një nga arsyet e udhëtimit drejt Kroacisë ditën e nesërme të Drejtorit Sportiv Matko Djarmati dhe trajnerit Elvis Plori.”.
Në një postim tjetër madje, ka një destinacion krejt të ndryshëm nga ai i përfolur pikërisht për gjermano- kroatin:
“Ditën e djeshme Thomas Brdarić ka udhëtuar drejt Kosovës për tu takuar me Presidentin e Federatës Kosovare të Futbollit. Nga Kosova informacioni flet për një marrëveshje të kryer, Brdarić shikohet si pasues i trajnerit Challandes nëse me ktë të fundit prishet kontrata. Ditën e hënë priten të reja.”.