Bashkia Shkodër në bashkëpunim me “Animals need me” kanë zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme problemin e shfaqur me qentë endacakë në aksin Bogë- Theth. Ditën e sotme, është bërë e mundur të nis grumbullimi i tyre aty ku janë shfaqur dhe janë transportuar në qendren që ka vete shoqata “Animals need me”, me mbështetjen në terren nga AdZM- Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër. Transporti është mundësuar me mjetin e Bashkisë së Shkodrës, ashtu siç ishte rënë dakort me shoqatën.
Ndërhyrja ka nisur sot, do të vijë edhe nesër dhe për aq ditë që do të jetë e nevojshme. Grumbullimi i qenve endacakë, transportimi dhe strehimi në qendrën e menaxhuar nga shoqata, jo vetëm kanë larguar shqetësimin e banorëve të zonës dhe turistëve të mundshëm, por i kanë shpëtuar jetën edhe vetë kafshëve.
Natyrisht, falenderimet për këtë punë të shkëlqyer i takojnë vullnetarëve të palodhur të “Animals need me” që po japin një shëmbull ndërgjegjësimi qytetar, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe me suportin e AdMZ si njohës të zonës.