Kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi ka shpëtuar mrekullisht pasi rrezikoi të mbytej në plazh në Hamallaj disa ditë më parë (6 gusht). Shpëtim Saraçi u pikas në mes të dallgëve nga roja i plazhit, që shkoi për ta shpëtuar.
Në një njoftim nga Federata Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”, thuhet se 10 minuta para se të mbyllte turnin vrojtuesi Ismet Keta ka dëgjuar britma për ndihmë nga dy miq të kompozitorit.
Ai është drejtuar menjëherë drejt plazhit publik dhe ka hyrë mes dallgëve për të shpëtuar Saraçin, i cili kishte mbetur në një gropë të krijuar nga rrymat e ujit dhe ishte në rrezik për jetën.
Pas 20 minutash “betejë” me dallgët, vrojtuesi ka arritur që ta nxjerrë nga uji. Federata njoftoi se bëhej fjalë për një “personazh që i ka dhënë shumë publikut nëpërmjet ekranit dhe do të vazhdojë t’i japë”, duke ndarë një foto të Saraçit ku imazhi i tij është censuruar.
Por mësohet se personi në fjalë është kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi.
Postimi i plotë i Federatës:
Personi ne foto është një personazh shume i dashur i ekranit tone. Vrojtuesit te Plazhit, Ismet Keta i duheshin vetëm 10 minuta për te mbyllur turnin e punës ne Resortin Vala Mar ne plazhin e Hamallajt. Nga pjesa e plazhit publik ka dëgjuar britma për ndihme… Me baywatch ne dore është nisur menjëherë drejt detit. Ai tregon se ka evidentuar dy persona qe kërkonin ndihme për mikun e tyre i cili kishte mbetur ne nje grope te krijuar nga rrymat e ujit.
I lodhur nga stërmundimi dhe lufta me dallgët i rrezikuari ishte ne gjendje kritike për jetën. Ismeti tregon, qe j’u deshën rreth 20 minuta për te dale nga vorbulla bashke me te rrezikuarin, i cili ishte thuajse i pafuqishëm për tu mbajtur tek baywatch-i i shpetimit. Fale Zotit sot Vrojtuesit shpëtuan një personazh qe i ka dhënë shume publikut nëpërmjet ekranit dhe do te vazhdoje t’i japë 🙏.
FREKUENTONI PLAZHET ME VROJTUES!
VROJTUESIT E PLAZHIT SHPETOJNE JETE!
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të “Vrojtuesit të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”, Gent Lasku ka dhënë detaje mbi rastin e shpëtimit nga mbytja të kompozitorit Shpëtim Saraçi nga mbytja në ujë.
Lasku thotë se me informacionet që ka, Saraçin nuk po e lejonin rrymat të afroheshin në breg dhe ishte shumë i pafuqishëm. Sipas tij, nëse Saraçi nuk do të ndihmohej nga një ekspert profesionist do të mjaftonin 120 sekonda që të dorëzohej dhe fundosej
Gjithsesi ai thekson se edhe Saraçi vetë kontribuoi duke ndihmuar veten dhe vrojtuesin për të bërë të mundir shpëtimin.
‘’Ngjarja ka ndodhur, ka ca kohë, por ju jeni e para media vizive që e publikoni këtë. Ai e donte konfidenciale në fakt. Rrymat në det nuk po e lejonin të afrohej, ishte shumë i pafuqishëm.
Është në gjendje të mirë, por edhe ai ndihmoi në shpëtimin e vetvetes, i lehtësoi vrojtuesit. U bë i mundur shpëtimi dhe mund të them që ishte nga lajmet më të bukura dhe të ngrohta.
Kur u nxor në breg ishte në gjendje me shenja jete normale, por gjendja fizike dhe energjia e tij njerëzore nëse do të ishte në ujë dhe nuk do të kishte një ekspert që ta ndihmonte, të jeni të sigurt largqoftë rasti do të ishte fatal. Do të duheshin 120 sekonda për të dorëzohej, të fundosej dhe të pinte ujë.’’- tha Lasku.