Deputeti i PSD-së në Qarkun Shkodër Tom Doshi, është fotografuar në një nga lokalet e Bashkisë Vau- Dejës në shoqërinë e socialistëve të zonës. Lajmi është përhapur me shpejtësi dhe tashmë Doshi konsiderohet i rikthyer në rradhët e partisë, nga e cila nisi rrugëtimin politik në vitin 2005. Në fakt, ka qenë Partia Socialiste Bashkia Vau Dejes, ajo që ka shpërndarë një njoftim në Faceboo-un e saj zyrtar, lidhur me prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie në Vau- Dejës. Mesa duket, dikush u ka tërhequr vemendjen sepse pas pak, njoftimi ku përmendej emri i Tom Doshit dhe Ditmir Bushatit është fshirë dhe është publikuar një tjetër i përgjithshëm, pa emra deputetësh dhe kandidatit për kryetar bashkie në Vau Dejës. Më poshtë, mund të shikoni edhe dy njoftimet. Pavarësisht se u fshi, njoftimi ka mbetur pasi u shpërnda nga shumë simpatizantë socialistë të Doshit.
Doshi ishte në krah të kandidatit socialist në Vau Dejës edhe në zgjedhjet e vitit 2015, pavarësisht kontradiktave me Ramën e PS-në. Por pavarësisht kësaj, Zef Hila u shpall fitues i garës për kryetar bashkie. Në zgjedhjet e vitit 2017, Doshi kandidoi për PSD-në e Gjinushit, duke u shpallur deputet. Ndërsa sot ai ka qenë në një takim me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, i cili ishte kundërshtari i tij më i ashpër gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare. Sipas gjasave, Doshi ka vendosur të rreshtohet me PS-në në zgjedhjet e ardhshme lokale. Pritet të mësohet se do të jetë në rolin e aleatit si PSD, apo do të rikthehet zyrtarisht në rradhët e PS-së… /ShkodraWeb/