Për shkak të mospërfilljes dhe të lënies me qëllim në harresë, shoqëria “Bashkimi” e themeluar që plotë 120 vite më parë, e vlerësuar si një akademi kulturore njihet shumë pak në shoqërinë shqiptare.
Nën pushtimin e egër turk, shqiptarëve të shtypur, as në mesin e shek. XIX, kur perandoria po shkatërrohej, nuk i lejoheshin institucione kulturore kombëtare, veç atyre fetare që gjendeshin nën patronazhin e Austro-Hungarisë. Në vijim të përpjekjeve për me i shërbye çështjes se zgjimit, bashkimit dhe çlirimit kombëtar, abati Preng Doçi mendoj për ta shfrytëzuar këtë mundësi për krijimin e një shoqërie kulturore e studimore për lëvrimin e gjuhës e kulturës shqiptare. Megjithëse ndodhej në kushte shumë të vështira politike për shkak të ndëshkimeve turke, e pamundësive e financiare, ai i hyri punës më zgjuarsi e guxim për të krijuar shoqërinë në shtëpinë e tij në Shkodër, në janar 1899, me pjesëmarrjen e Imzot Jak Sarreqi, Imzot Lazër Mjeda, klerikët: Dom NdocNikaj, Atë Gjergj Fishta, Dom Dodë Koleci, Tomë Velaj etj.
Në përshtatje me gjendjen pushtuese, për të mbuluar punën e saj të vërtetë kombëtare, shoqëria u paraqit si fetare, prandaj si pjesëtarët të saj përmenden veç klerikë, megjithëse në gjirin e saj kishte edhe laikë, madje edhe intelektualë të besimit myslimane. Kur Valiu i Shkodrës e pyet Doçin, se çfarë janë ato mbledhje në shtëpinë e tij, ai do të përgjigjej: “Po zotni, kam thirrë disa prifta e jam tue pleqnue do punë feje”. Ishte e para herë, që në gjirin e Shqipërisë, ende nën zgjedhën e egër turke të themelohej ballafaqe një shoqëri, për t’u marrë sistematikisht me lëvrimin e gjuhës shqipe. Dëshmitarët e kohës shprehen se themeluesi që meriton çmime e lavde të përjetshme që abati i Mirditës Preng Doçi, i cili gurin e përjetësisë të alfabetit e zhvillimit të kulturës e hodhi në 1899 në lagjen Sarreq të Shkodrës.
Alfabeti në fjalë me gjithë mungesat shkencore të kohës që mund t’i kishte në vete, ai qe fort praktik. Duke u nisur edhe nga praktika e gjermanëve, kroatëve etj., të cilët braktisën shkrimet gotike dhe për shkak të punës më të lehtë në shtypshkronja, shoqëria “Bashkimi” nuk i morën vetëm shkronjat e alfabetit të vjetër, apo vetëm ato të shoqërisë së Stambollit, por alfabetin e pastër latin.
Për të parën herë librat shqip do mund të shtypeshin gjithkund në shtypshkronjat brenda dhe jashtë vendit. Me këtë alfabet u shtypën librat shkollore, kur shqipja nisi të përdorej zyrtarisht në shkollat e veriut, të organizuara atëherë nga perandoria Austro-hungareze. Edhe pse pas tri viteve, kulturës shqiptare iu shtua edhe alfabeti i Agimit (1901) nga Ndre Mjeda, shkrimtarët e njohur si: Fishta, Gurakuqi, Nikaj, Xanoni, Çajupi, Sciro, Peci, Fan Noli, Konica, Asdreni vazhdonin ta përdornin këtë alfabet. Revistat e asaj kohe, si Elçia (1891), Albania, (1897-1909), Kombi, Toska , Besa, La Nova Albania ( Shqipëria e Re), etj., të cilat nuk shkruheshin me alfabetin e Frashërit, botoheshin gati të gjitha në alfabetin e ‘Bashkimit’ edhe pse shumë shkrimtarë bënin modifikime të veta, sipas prirjeve të tyre. Më daljen në skenë të Kongresit të Manastirit në nëntor të vitit 1908, i dha zgjidhje një alfabeti të përbashkët, me germat latine, që do jetë themeli i një uniteti të alfabetit kombëtar, ku pëlqimin e dhanë 32 delegat nga Kongresi dhe jashtë tij.
Kjo akademi studimore, siç e quante Luigj Gurakuqi, është ngritur, në kohë të vështirë e të rrezikshme, kohë droje, frike e shtrëngimi, ku vetëm një fjalë mund të kthehej si faj i rëndë e kur dënime të ashpra e burgje të tmerrshme, do merrnin ata që guxonin të tregoheshin si mbrojtësit e dalëzotësit e gjuhës shqipe. Duke qenë frika reale, nga ndëshkimet e pushtuesit, shoqëria “Bashkimi” mblodhi rreth vetes një numër të kufizuar dijetarësh dhe idealistësh nga gjithë Shqipëria.
Në një memorandum të shoqërisë “Bashkimi” me dt. 20, gusht 1908, thuhej se: “Duke i dhënë besën njëri-tjetrit me punë të pa reshtur, me durim të madh e me bashkim vullnetesh, për gjatë 10 viteve të veprimtarisë, botuan 31 vepra të ndryshme studimore, për lëvrimin e gjallërimin e gjuhës dhe shkollave shqipe.
Më botimin e fjalorit “Fialuer i Rii i Shcypes”, Shkodër, 9 janar 1908, si një pararojë e Kongresit të Manastirit, shoqëria Bashkimi i tregoj shqiptarëve se nuk punuam për veti, por për atdhe e gjuhen shqipe. Pas alfabetit te Kongresit të Manastirit, shoqëria “Bashkimi” u zotua se do ndjekin gjithçka që do lidhet më një bashkim të shqiptarëve, që përfshin gegë e toskë. Në përfundim të memorandumit të lart përmendur, thuhet: Ata ci t’i u apin nnihme e t’i u bahen krah n’ ket pune, i paste Shcypnia!
Fjalori i Shoqërisë “Bashkimi”, për vlerën që pati, u bë model dhe pikë referimi për hartuesit e më vonshëm të fjalorëve, si: Nobert Jokli (më1911e më 1923), Atë FulvioCordigano, (më1929 e më1934), Dom Nikollë Gazulli (më 1939 e më 1941), Atë Benedikt Dema, (më 1966), si dhe për studiuesit: Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej etj. e deri të hartuesit e ‘Fjalorit të Gjuhës Shqipe’ të vitit 1954. Në shenjë nderimi ndaj kësaj ngjarje, Enti botues “Gjergj Fishta” bëri botimin anastatik e Fjalorit të ‘Bashkimit’, i pari botim mbas 110 vitesh në Shqipëri, duke i dhënë në dorë lexuesit të rinj një vlerë të çmuar gjuhësorë.
Por, ajo çfarë ka mbetur si trashëgimi me vlerë të rrallë, pos botimeve, është shtëpia e kësaj shoqërie në Shkodër e ndërtuar nga vet abat Doçi në vitin 1893. Në këtë kompleks unik për Shkodrën, u farkëtua guximi, trimëria, urtia dhe dijenia kombëtare.
Meqenëse kjo ndërtesë është duke u degraduar, megjithëse përballoi rrebeshet e kohës, nisur nga vlera kulturore, historike e arkitekturore, Ministria e Kulturës në gusht të vitit 2018 e ka shpallur Monument Kulture. Për ta shfrytëzuar dhe ruajtur në mënyrë më të plotë këtë pasuri kombëtare, është kërkuar që ky kompleks të shndërrohet në shtëpi muze, kushtuar shoqërisë Bashkimi, abat Preng Doçit dhe atdhetarit Stef Curanit.
Më këtë qëllim nga Kisha katolike e Shkodrës, është biseduar disa herë më Ministrinë e Kulturës dhe kryeministrinë për realizimin e kësaj ideje. Madje në këtë drejtim dhe Bashkia e Shkodrës ka bërë letrën zyrtare më 3 dhjetor 2018, drejtuar kryeministrisë dhe jemi në pritje të marrjes së një përgjigjeje pozitive. Më këtë veprim, do i rikthehej sadopak dinjiteti kësaj shoqërie, e cila në kohërat jetike për popullin tonë dha kontribut të çmuar për ruajtjen e dinjitetit dhe identitetin e të gjithë shqiptarëve kudo që janë. /Nga Dom Nikë UKGJINI/