Ka shpëtuar mrekullisht një 33- vjeçar teksa makina e tij është shenjeshtruar nga të shtënat. Makina me të cilën udhëtonte ka dalë nga rruga, duke mbetur në një fushë në anë të rrugës në afërsi të Urës së Mifolit në Novoselë të Vlorës.
Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Vlorës, e cila thekson se 33 vjeçari ka mbetur i dëmtuar, jashtë rrezikut për jetën dhe po merret në pyetje. Lëndimet nuk janë marrë nga të shtënat, por nga dalja jashtë rrugës e makinës me të cilën udhëtonte i riu. Më poshtë, njoftimi i plotë i policisë.
Vlorë
Informacion paraprak
Në vendin e quajtur “Ura e Mifolit” Novoselë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi R.A. (Romario Alliraj), 33 vjeç, banues në Vlorë, i cili ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga duke pësuar lëndime të lehta.
Nuk ka të lënduar me armë zjarri. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet në lidhje me zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave.
Po punohet nëpërmjet kontrollit të territorit dhe veprimeve të tjera hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.