Shkodrani Neritan Pipa nuk është emër i panjohur për policinë italiane pasi në emrin e tij rezulton një dosje penale me disa akuza.
Në vitin 2003 ai është arrestuar nga karabinierët për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Pipa ka qenë ish-sportist i Shkodrës dhe vijoi karrierën me skuadrën e San Giovanit në Itali në pozicionin e sulmuesit. Shkodrani nuk jetonte në San Maroni por vetëm shkonte atje për t’u stërvitur me skuadrën.
Shqiptari në sytë e drejtuesve të ekipit ishte një tip i heshtur për shkak edhe se nuk fliste mirë italisht, por përgjithësisht cilësohej si tip korrekt.
Dy të rinj u sulmuan në datën 5 tetor 2013 në rrugën “Regina Elena” në Rimini dhe njëri prej të cilëve vdiq disa ditë më vonë në spital.
Pas krimit të datës 5 tetor, ai luajti një ndeshje në 8 tetor me skuadrën e San Giovanit dhe më pas u zhduk duke mos u kthyer më kurrë.
Ekipi më pas kërkoi për një sulmues tjetër.
Ato kohë shkodrani kishte patur edhe disa probleme me punëdhënësin e tij dhe nuk gjendej pothuajse fare në banesën e tij në Rimini.
Ai u arrestua më 19 tetor 2013 me urdhër të prokurorit Giacomo Gasperini në moshën 25-vjeçare për ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e 5 tetorit 2013.
Pipa u dënua nga Gjykata e Shkallës së parë për vrasjen e një 27-vjeçari peruan të quajtur Efrain Fernando Carrillo Moscoso, të cilin e kishin therur në një stacion autobusi, por këtë vendim e anuloi Gjykata e Lartë.
Gjykata Supreme vendosi një gjykim të ri për të në Gjykatën e Apelit të Bolonjës, por shqiptari u zhduk.