Kryeministri Edi Rama bëri sot betimin në Presidencë si ministër i Jashtëm.
“Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njëkohësisht Kryeministër, Sh. T. Z. Edi Rama, u betua sonte, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë. Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, duke i dorëzur dekretin, i uroi suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme. Në ceremoni ishte i pranishëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës”, njoftoi zyra e shtypit pranë Presidencës.
Të hënën, mazhoranca votoi dekretet e Metës për shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër i Jashtëm dhe emërimin në këtë post të vetë kreut të qeverisë. Rama bëri këtë lëvizje, pasi Meta nuk dekretoi emërimin e Ramës, Gent Cakajn, si ministër i Jashtëm.