FOTO – Për herë të parë Lezha do të ketë udhërrëfyesit tursitikë, nis kursi për përgatitjen e tyre…

Turizmi vijon të mbetet shtylla kryesore e ekonomisë në Lezhë. Pavarësisht pandemisë, ky sektor arriti që gjatë sezonit veror të zbusë gropën e krijuar nga mbyllja gjatë muajve mars prill dhe kufizimeve të shumta të majit. Përshkak të kësaj rëndësie sektori i turizmit po synon të përmirsojë shërbimet e saj. Brenda 3 muajve të ardhshëm, në Lezhë do të krijohen për herë të parë udhërrëfyesit turistik.


Këtë mes shtatori nisi edhe kursi i parë i këtij lloji që pavarësisht se i reduktuar përshkak të udhëzimeve të Ministrisë së Shendetësisë sërish shihet si një armë e fortë në zhvillimin e ketij sektori. Kjo risi shikohet si një domosdoshmëri për të ndikuar në mënyrën e promovimit direkt tek vizitorët dhe turistët si dhe të prezantojë resurset e shumta ende të pafshfrytëzuara siç duhet në këtë njësi vendore.

Një kurs 4 mujor intensiv i mundësuar falë bashkëpunimit të Bashkisë Lezhë me Zyrën Rajonalë të Punësimit në qark u ka dhënë mundësi disa të rinjve të papunë që të profilizohen dhe çertifikohen në këtë fushë. Ka çdo vit thuajse 1.5 milionë turistë vendas e të huaj, por Lezhës i kanë munguar udhërrëfyesit turistik duke bërë që agjencitë turistike të shmangnin këtë zonë osë në rastin më të mirë të kontraktonin udhërrëfyes nga qytete të tjera.

Kjo mangësi u identifikua nga Zyra e Turizmit në bashki që mundi të tërheqë vemendjen e Drejtorisë Rajonalë të Formimit Profesional Shkodër duke krijuar këtë kurs enkas për t’i ardhur në ndihmë sektorit të turizmit në Lezhë.

Lezha i ka të nevojshëm udhërrëfyesit dhe kjo do të nxisë edhe më shumë zhvillimin e turizmit duke ndikuar në lëvizjen e turistëve nga një zonë në tjetrën duke vizituar dhe duke u argëtuar edhe më shumë gjatë qëndrimit të tyre në Lezhë. Përshkak të pandemisë pati vonesa në nisjen e kursit, por në përfundim të tij do të jenë ata promovuesit e Lezhës turistike dhe padiskutim një profesion që do t’u sigurojë punë të vazhdueshme.

Mbështet ShkodraWeb Media

Bashkia e Lezhës nëpërmjet Nenkryetares së saj znj.Oliana Moriseni thotë së këta të rinj që do të çertifikohen si udhërrëfyes turistik do të jenë pjesë e promovimit të Lezhës që mikëpret qindra mijëve vizitorë e turistë çdo vit.

“Ky kurs ka qënë një domosdoshëri për Lezhën. E them me bindje se këta udhërrëfyes do të japin kontributin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qendrueshëm në zonën tonë duke ofruar informacion, shërbime dhe prezantim të çdo elementi turistik që për fat të mirë janë të shumtë në Lezhë.

Kursi për udhërrëfyes është në dobi të këtyre të rinjve që janë pjesë e tij, do të jetë në sherbim të operatorëve turistik që duan të afrojnë më shumë për klientët e tyre, por është mbështetje edhe për bashkinë e Lezhës që të prezantohet denjësisht dhe të ofrojë shërbime që kanë munguar më parë.

Ata do të jenë nxitje edhe për shtimin e numrit të vizitave në objekte kulti, zona malore, atraksione natyrore, në sitet arkeologjike dhe asetet e historisë duke kaluar nga një turizëm që zhvillohet vetëm gjatë stinës së verës në një turizëm që njeh rritje edhe gjatë periudhës tjetër të vitit. Ne po presim që grup i parë i këtyre udhërrëfyesve të rinj të vijojnë punën e tyre me qëlllim që ne të shkojnë në të tjera nisma e projekte në shërbim të sektorit të turizmit”.

Mangësitë e konstatuara gjatë 10 vjeçarit të fundit, periudhë kur edhe mori zhvillimin më të madh sektori i turizmit në Lezhë po synohet që të minimizohen. Përshkak se kanë munguar udhërrëfyesit turistik, kanë munguar organizimet për pushuesit në këtë zonë turistike duke e fokusuar gjithçka tek uji dhe rëra. Nuk kanë munguar kërkesat e pushuesve për të njohur më mirë Lezhën, për të vizituar zona të tjera apo për të marrë sugjerime për një ditë ndryshe ndërsa kalojnë pushimet verore në bregdet, por sigurisht ka munguar orientimi.

Kjo edhe përshkak se kanë munguar ata që do të përmbushnin kerkesat e tyre. Për këta të rinj nuk është e nevojshme që të vijë vera për të bërë udhërrëfyesin por do të bashkpunojnë menjëherë me agjenci turistike apo operatorë turistikë për të nxitur fluksë vizitorësh drejt Lezhës.

Nuk mungon interesi që kanë njerëzit për të udhëtuar, argëtuar, për të eksploruar gjëra të reja apo për të bërë një ditë ndryshe por duhet që “ti” t’ua afrosh diçka të tillë dhe këta udhërrëfyes të parë janë një vlerë më shumë për turizmin. Lezha ka ende shumë për të dhënë në turizëm si një ansambël i plotë vlerash turistike tek të cilat mund të mbahesh për të krijuar itenerare të ndryshme apo destinacione të mundshme.

Lezha mund të jetë ndër të paktët qytete që nuk ka agjenci turistikë për turistët incoming duke operuar vetëm nëpërmjet agjencive të Tiranës apo Shkodres për të dërguar vizitorë nga Lezha drejt shteteve të tjera. Kjo duket se ka ndikuar edhe për mos pasjen e udhërrëfyesve turistike, mungesën e paketave turistike që përfshijnë të gjithë zonën dhe më pak promovim.

Në këto kushte, në këtë bashki ka nisur të mendohet për një fushatë të plotë promocionale, por duke mundësuar edhe sherbime të përmirsuara. Udhërrëfyesit e para turistik të Lezhës do të jënë të gatshëm për sezonin e ardhshëm të pranverës, duke pritur që të ketë edhe më shumë vemendje të agjencive ndaj kësaj zone turistike. /Nga Gjergj FIGURI për ShkodraWeb Media/

ShkodraWeb Channel