VIDEO+FOTO – Kryebashkiaku i qytetit Namur në Belgjikë, shpallet “Qytetar Nderi” i Bashkisë Malësi e Madhe, një rruge pagëzohet me emrin “Namur”

Maxime Prèvot, kryetar i Komunës Namur në Belgjikë, shpallet “Qytetar Nderi” i Bashkisë Malësi e Madhe. Ceremonia është zhvilluar ditën e sotme në mjediste e Bashkisë Malësi e Madhe, në kuadër të një vizite zyrtare që Prèvot po zhvillon. Titulli i lartë i është dorëzuar kryebashkiakut të Namur nga deputeti Paulin Sterkaj.

Vizita e sotme e Prèvot ka patur një sërë etapash. Fillimisht, i shoqëruar nga kryebashkiaku Tonin Marinaj, kanë ecur së bashku në rrugën kryesore të Koplikut, si një mundësi e mirë promovimi. Më pas, është zhvilluar edhe një vizitë tek Reparti MZSH Malësi e Madhe dhe në Spitalin e Koplikut, ku ka dhënë mbështetje edhe Komuna Namur.


Në fund, është zhvilluar ceremonia e akordimit të titullit “Qytetar Nderi” në sallën e Këshillit Bashkiak Malësi e Madhe, teksa edhe një rruge në qytetin e Koplikut, iu dha emri “Namur”, si vlerësim e mirënjohje për komunën belge që ka dhënë e po jep mbështetje për Malësinë e Madhe. Një konferencë e përbashkët për shtyp ka shënuar edhe fundin e agjendës zyrtare të kryebashkiakut Prèvot në Malësinë e Madhe. /ShkodraWeb/