Shkruan në Facebook kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi: “Kënaqësi e veçantë të takohem dhe bashkëbisedoj me Dr. Salahudin Keftaro, një personalitet i niveleve të larta, mendimtar islam i shquar në rang botëror, nxitës dhe përhapës i dialogut ndërfetar, drejtor i Fondacionit Arsimor e Bamirës “Shejkh Ahmed Keftaro”.
I shoqëruar nga Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari, me Dr. Keftaro bashkëndamë shumë opinione për zhvillimet aktuale, për Shkodrën si shembull i shkëlqyer i bashkëjetesës, harmonisë fetare, i njerëzve të punës dhe i vlerave të gjithanshme.”, përfundon publikimin e saj kryebashkiakja Ademi.
Kush është Dr. Salahudin Keftaro, i datëlindjes 1957
I diplomuar në drejtësi nga Universiteti i Damaskut, 1981.
I diplomuar në shkencat islame nga Universitetit i Thirrjes Islame i Tripolit, 2000.
Dr. Honoris Causa i Universitetit Um Derman, në Hartum, 2005.
Drejtor i Fondacionit Arsimor e Bamirës “Shejkh Ahmed Keftaro”, që përmban 4 fakultete bashkë me studimet pasuniversitare, përkujdesjen për 3500 jetimë, studentë nga 80 shtete të botës, etj.
U përzgjodh një ndër 20 udhëheqësit e feve në botë, nga OKB, në vitin 2007.
Mendimtar islam i shquar në rang botëror, për nxitjen dhe përhapjen e dialogut ndërfetar dhe mesazhet e ekuilibruara islame në konferencat e shumta në qindra takime ndërkombëtare anëmbanë botës, si në: ShBA, Francë, Norvegji, Suedi, Greqi, Japoni, Kore e Jugut, Arabi Saudite, Katar, Kuvajt, Egjipt, Tunizi, Kubë, Malejzi, Indonezi, etj.
Autor i disa veprave, si: “Në radhë të parë Njeriu”, “Përballë mafies së ekstremizmit”, “Dialogu është rruga e jonë”, etj.
I ati, Kryemyftiu i Madh i Sirisë, H.T. Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004), ka një kontribut të pashoq në ndërtimin e urave të bashkëjetesës dhe dialogut ndërfetar në Siri dhe jashtë saj, sikurse është shquar për takimet e shumta ndërfetare në mbarë botën, veçanërisht ato me Papa Gjon Palin II, në Vatikan e në Siri.